Beograd, 02 shtator 2025
Pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe izolimit politik, liderët e entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Serbe dhe të Serbisë – Millorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq – vazhdojnë të mbajnë kontakte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.
Edhe pse këto takime janë të shpeshta, analistët vlerësojnë se ato shërbejnë më shumë si një mesazh për Perëndimin sesa si mbështetje konkrete nga Moska.
“Mendoj se ajo që kërkojnë është mbështetje simbolike nga Putini për t’i frikësuar evropianët dhe për t’ua bërë me dije se është në interesin e tyre të mos ushtrojnë më shumë presion as ndaj Vuçiqit e as ndaj Dodikut”, tha për Radion Evropa e Lirë Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin.
Dodik, i cili së fundi nuk e ushtron më funksionin e presidentit të Republikës Sërpska pasi iu hoq mandati me vendim gjyqësor të formës së prerë, në një intervistë për median ruse Sputnik ka paralajmëruar se “së shpejti” do të udhëtojë për në Rusi dhe se gjatë tetorit pritet të takohet me Putinin.
Nga Rusia, sipas tij, do të kërkojë që të vendosë veto për vazhdimin e mandatit të misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian në Bosnjë – EUFOR Althea – për të cilin çdo nëntor votohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.Analisti Toby Vogel vlerësoi se takimet e Vuçiqit dhe Dodikut me Putinin nuk kanë për qëllim vetë Moskën, por synojnë të nxisin reagim nga Brukseli dhe Londra.
“Prej vitesh dëgjojmë se nuk mund të ushtrohet shumë presion ndaj Vuçiqit apo Dodikut, sepse, nëse e bëjmë këtë, rrezikojmë t’i humbim ata. Ata, gjoja, do t’i kthehen Lindjes dhe ne nuk e duam këtë. Por, ky narrativ asnjëherë nuk ka qenë bindës, dhe Perëndimi duhet t’i japë fund kësaj qasjeje”, tha Vogel për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se edhe pa ndikimin e Rusisë, Bashkimi Evropian deri tani ka qenë “shumë i dobët në kritikën ndaj Vuçiqit” për shtypjen e protestave në Serbi dhe se nuk ka pasur pasoja për autoritetet në Beograd. “Vuçiqi do ta ketë shumë të vështirë të dalë i paprekur nga kjo krizë politike, dhe asnjë udhëtim në Kinë apo Rusi nuk do ta ndryshojë këtë”, theksoi Vogel.
Sa i përket Dodikut, Vogel tha se situata ligjore është krejtësisht e qartë, por jo edhe në terren, veçanërisht kur të mbahen zgjedhjet e parakohshme për president të entitetit të Republikës Srpska.
Politologu nga Sarajeva, Adnan Huskiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, u përgjigj me kundërpyetje: çfarë do të thotë për këdo në Ballkanin Perëndimor të ketë mbështetje nga Rusia?
“Unë me të vërtetë nuk shoh se si, në një situatë kur ende kemi një polarizim të thellë mes Perëndimit dhe Rusisë, juve ju ndihmon konkretisht ndihma ruse. Jeni të rrethuar nga shtetet anëtare të NATO-s, e në aspektin e inteligjencës, SHBA-ja është ende këtu, pavarësisht çfarëdo që mendojmë për të”, tha Huskiq.
Sa i përket Millorad Dodikut, ai vlerësoi se Dodik po shfrytëzon gjithçka që ka në dispozicion, por ka pak gjasa që kjo do të ketë ndonjë efekt real. Ai shtoi se është “analizë joserioze dhe sipërfaqësore” të mendohet se dikush në planin ndërkombëtar do t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjes së Dodikut.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë