Prishtinë, 31 Gusht 2025
Ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka vlerësuar se puna e Kuvendit nuk duhet të bllokohet nga mungesa e nënkryetarit serb. Edhe pse në Gjykatë Kushtetuese është ankuar Lista Serbe, Mushkolaj thotë se presidentja nëse do të emërojë mandatarin për formimin e Qeverisë nuk do të bënte shkelje kushtetuese, meqë e ka për detyrë garantimin e funksionimit të institucioneve
Profesoresha e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës ka vlerësuar të dielën se partitë deri tash në opozitë e kanë pasur mundësinë që ta zgjedhin Nenad Rashiqin nënkryetar.
“Askund në Kushtetutë nuk kërkohet që kandidati për nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit, që mbajnë vendet e garantuara të komunitetit serb, të pëlqehet nga Vuçiqi. Kërkohen votat e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pra, sot në Kosovë, nga 100 deputetë shqiptarë nuk u bënë bashkë 61 deputetë, për ta shporrur regjimin e Vuçiqit nga institucionet tona”, ka thënë Mushkolaj.
Mushkolaj ka deklaruar se me logjikën që duhet të zgjidhet gjithsesi kandidati që ka mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë, shteti mund të bllokohet.
Një gjë të tillë, sipas saj, nuk e ka paraparë as Pakoja e Ahtisaarit – një nga kompromiset ligjore mbi të cilat u vendosën strukturat kushtetuese të Kosovës.
“Është e rëndësishme se funksionet kushtetuese, si përfaqësimi i Kuvendit, përcaktimi i rendit të ditës, thirrjet dhe kryesimi i seancave; nënshkrimi i akteve të miratuara nga Kuvendi etj. i kryen, bazuar në Kushtetutë, kryetari i Kuvendit dhe ai është zgjedhur më në fund. Kryesia e Kuvendit ushtron vetëm funksione administrative, kështu që Kuvendi mund të vazhdojë ushtrimin e funksionit. Ahtisari nuk e ka paraparë që për këto çështje të bllokohet shteti”, ka thënë ajo.
Për moszgjedhjen e të propozuarit për nënkryetar nga Lista Serbe, ky subjekt i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Votat e mjaftueshme për nënkryetar nga komuniteti serb nuk i ka marrë asnjë nga 9 deputetët e Listës Serbe, e as deputeti tjetër serb Nenad Rashiq.
Mushkolaj ka vlerësuar se presidentja nëse do të emërojë mandatarin për formimin e Qeverisë nuk do të bënte shkelje kushtetuese.
“Rrjedha e afatit fillon kur vihet në veprim presidentja e vendit, e cila në konsultim me partinë fituese, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje, kjo e fundit e dërgon propozimin për të marrë mandatin për të formuar qeverinë. Nga momenti i marrjes së mandatit, ka afat 15 ditë ta formojë Qeverinë dhe konsiderohet i zgjedhur nëse i merr 61 vota. Në rast që jo, vjen në konsideratë diskrecioni i presidentit. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit mund të mandatojë këdo që arrin të bindë presidenten që ka arritur të sigurojë 61 vota. Nëse pas tentativës së dytë vendi realisht duhet të shkojë në zgjedhje”, ka thënë Bajraktari.
Ndërkaq analistja politike Magbule Shkodra është shprehur pesimiste sa i përket formimit të Qeverisë së re.
Për të hënën është paralajmëruar edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, por vetëm dy nga nënkryetarët e zgjedhur pritet të marrin pjesë – pasi PDK-ja e LDK-ja konsiderojnë se Kuvendi nuk mund të llogaritet si i konstituuar në mungesë të nënkryetarit serb.
Derisa nuk është publikuar ndonjë agjendë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka paralajmëruar se në këtë mbledhje do të diskutohet se si të veprohet tutje me punën e Kuvendit.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte