Prishtinë, 30 Gusht 2025
Në një ceremoni në qendër të kryeqytetit, u përurua memoriali “Pema e Jetëve”, një vepër arti dhe kujtese që u ngrit në nderim të mijëra personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
I konceptuar nga artistët Dea Gjinovci dhe Armand de Benoist de Gentissart, memoriali përbëhet nga një trung peme pa degë, një simbol i fuqishëm i jetëve të ndërprera dhe boshllëkut që mungesa e tyre ka lënë në shoqëri.
Në trupin e trungut janë gdhendur emrat e të zhdukurve në panele druri, shumë prej tyre të shkruar nga vetë duart e familjarëve.
Në ceremoninë e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur dhe me mbështetjen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, morën pjesë përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, familjarë të personave të zhdukur dhe qytetarë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fjalimin e tij tha se kjo vepër arti nuk e shëron dhimbjen, por i jep zë. Ai e cilësoi “Pemën e Jetëve” si një pikëtakim të kujtesës kolektive, që na thërret të mos lejojmë që kujtimi të mbetet vetëm në zemrat e familjarëve, por të bëhet pjesë e ndërgjegjes sonë të përbashkët.
“Emrat e gdhendur këtu janë më shumë se shkronja mbi dru; ata janë kujtesë publike se secili emër, secila jetë, ka emër dhe identitet,” tha Rama, duke theksuar se mungesa e tyre është një plagë që nuk shuhet, por që përmes këtij memoriali bëhet thirrje për të mos harruar dhe për të kërkuar drejtësi.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i FDHK-së, foli për përkushtimin shumëvjeçar të organizatës për të dokumentuar fatin e të zhdukurve dhe për të mbajtur gjallë kujtesën për ta.
“Ky memorial nuk është thjesht një vepër arti,” tha ai, “por një hapësirë e përhershme që shoqëria jonë të mos harrojë.” Blakaj falënderoi familjarët për besimin dhe ndarjen e dhimbjes së tyre, si dhe të gjithë partnerët që ndihmuan në realizimin e projektit. Ai e përshkroi “Pemën e Jetëve” si një vend reflektimi, por edhe një vend ku kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi. Ky memorial u përshëndet gjerësisht si një kontribut i çmuar për kulturën e kujtesës në Kosovë. Ai nuk është vetëm një homazh për të zhdukurit, por edhe një thirrje publike që e kaluara të mos mbulohet me harresë dhe që padrejtësitë të mos përsëriten më kurrë.


Lirohet nga burgu në Beograd ish-pjesëtari i UÇK-së, Mit’hat Lozhani
Dogana njofton për nisjen e përdorimit të platformës DAT për automjete
Kurti me konferencë të jashtëzakonshme
Rizvanolli: KEK dhe KESCO arrijnë marrëveshje, nuk pritet rritje e tarifave
Muja takon qumështarët, thotë se secila pako e qumështit që futet në Kosovë do t’u nënshtrohet masave
Kurti: Roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit
Kamberi: Lugina e Preshevës duhet të jetë në agjendën e përbashkët Kosovë–Shqipëri
Kosova pa president, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme
Kurti: I ofrojmë LDK-së edhe 15 nënshkrime për kandidatin e tyre, Hoxha u dakordua të tërhiqet
Seanca për Presidentin shtyhet në ora 23:00