Prishtinë, 31 Gusht 2025
Rasti i arrestimit në Kroaci i ish-pilotit kroat të KFOR-it dhe partneres së tij serbe nga Kosova nën dyshimin për spiunazh për Serbinë, është kualifikuar nga njohës të çështjeve të sigurisë si vazhdimësi e strategjisë së Serbisë për destabilizimin e Kosovës nëpërmjet inteligjencës. Lidhur me rastin, Prokuroria Speciale u ka adresuar kërkesë zyrtare autoriteteve kroate për t’ia siguruar provat teksa Policia e ka bastisur shtëpinë në Mitrovicë të Veriut, të të dyshuarës serbe për rastin
Rasti më i fundit i spiunazhit, i cili është zbardhur pasi autoritetet kroate kanë arrestuar ditë më parë një pjesëtar të forcave ajrore të Kroacisë e që ka shërbyer edhe në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR – si dhe të dashurën e tij serbe nga Kosova, sipas ish-kolonelit të FSK-së, Afrim Veseli, përbën pjesë të strategjisë së vazhdueshme të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën nëpërmjet inteligjencës.
“Kjo është veç një vazhdimësi e sulmeve inteligjente serbe ndaj sovranitetit të vendit, lirisë dhe rendit publikë të vendit, pra ne që nga paslufta këto sulme të tyre në aspektin informativ inteligjent nuk kanë të ndalur dhe se edhe për një kohë të gjatë ne gjithmonë do të jemi të rrezikuar nga ta. Mirëpo fatmirësisht ne jemi shtet, ne i kemi organet e tona të sigurisë, sidomos agjencinë tonë të inteligjencës”, ka thënë Veseli.
Lidhur me rastin, Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë zyrtare tek autoritetet kroate për t’ia siguruar provat. Policia ka bastisur më 27 gusht shtëpinë në Mitrovicë të Veriut të të dyshuarës për rastin, e ku janë gjetur një sprej, disa gëzhoja dhe fishekë.
E Veseli ka vlerësuar se me këtë rast, inteligjenca e Serbisë i ka ndryshuar metodat e punës.
“… Metodat, taktikat dhe teknikat që ata i përdorin, ato ndryshojnë sipas rrethanave dhe kushteve, prandaj edhe rastit i fundit i infiltrimit të oficerit të KFOR-it të ushtrisë kroate është një pasqyrë e saj, mirëpo çdo herë, çdo shërbim armiqësor inteligjent si çka, si target i kanë oficerët e sigurisë, pra qofshin të ushtrisë, qofshin të policisë, qoftë të inteligjencës sepse ata gjithherë kanë më së shumti informacione për sigurinë e atij vendi që ata mendojnë ta atakojnë”, ka thënë Veseli.
E profesori i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, ka deklaruar se rasti i çiftit të arrestuar në Kroaci është i veçantë.
“Është më i veçantë sepse ka implikim më specifik. Bëhet fjalë për pilot. Pjesëtar të KFOR-it dhe dallon me zyrtarët e BIA-s e personat tjerë. Dëm i madh edhe Kosovës edhe KFOR-it dhe procedurat e mëvonshme do të shpalosin e do t’i bëjnë publike dëmet që kanë mundur t’ia sjellin Kosovës por edhe KFOR-it”, ka thënë ai.

Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Demokratët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, goditje politike për Trumpin