Prishtinë, 18 gusht 2025
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ngriti sot alarmin lidhur me shkyçjen e qindra kompanive nga furnizimi me energji elektrike, duke paralajmëruar se situata po i shtyn investitorët vendorë dhe të huaj të shqyrtojnë largimin nga Kosova.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se bizneset po përballen me krizë të paprecedentë, pasi KEDS ka ndërprerë energjinë elektrike për më shumë se 200 kompani me rreth 10 mijë punëtorë, shpesh me asistencën e Policisë së Kosovës.
“Ky veprim është goditje e rëndë ndaj ekonomisë dhe imazhit të Kosovës si vend për investime. Dëmet materiale tashmë janë milionëshe”, u shpreh Shahini, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të fushatës dhe hapjen e një dialogu transparent me institucionet.
Bizneset kërcënojnë me largim
Përfaqësues të bizneseve anëtare të AKB-së dhanë shembuj konkretë të dëmeve që po shkakton situata.
-
Ahmet Kuqi nga kompania e prodhimit të këpucëve Solid tha se fatura e energjisë është rritur me mbi 2 mijë euro krahasuar me muajt e kaluar. Ai paralajmëroi zhvendosjen e prodhimit në Shqipëri:
“Ne e kemi paditur KEDS-in, por nëse nuk ndërmerret asgjë, do të transferohemi në Kukës.”
-
Lumnije Hajdini, drejtoreshë në AKB, theksoi se një investitor i huaj në industrinë e tekstilit, i cili kishte investuar 20 milionë euro, tashmë ka paralajmëruar largimin e 70 punëtorëve me paga mesatare prej 600 euro.
“Nëse nuk ka mbështetje, ky investitor dhe të tjerë do të transferohen në rajon”, tha ajo.
Liberalizimi i tregut të energjisë
Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) ka njoftuar se ka nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti, pas përfundimit të afatit për lidhjen e kontratave me furnizues alternativë.
Ky veprim është në përputhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), që nga 1 qershori ka liberalizuar tregun e energjisë për të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtimin e energjisë, ndërsa tri të tjera janë në proces licencimi.
Kërkesat e bizneseve
AKB kërkon:
-
ndërprerjen e menjëhershme të shkyçjeve,
-
hapjen e dialogut me institucionet,
-
periudhë tranzicioni më të gjatë për bizneset,
-
si dhe mbrojtje nga rritja e papritur e kostos së energjisë.
Në të kundërtën, siç paralajmëroi Shahini, organizata do të përdorë mjete ligjore për mbrojtjen e interesave të bizneseve.

Thaçi mohon çfarëdo përfshirje në vrasje
Shënohet viktima e parë nga Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë
“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset
Studentët revoltohen me Specialen, marshojnë në protestë, mbështesin katërshen e UÇK-së
Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë mbi aktgjykimin e Hagës
Takohen Kurti e Hamza