Gjilan, 10 gusht 2025 – Tre persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën të dielën në mesditë, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, kanë konfirmuar autoritetet kosovare.
Fillimisht, Policia e Kosovës njoftoi për dy viktima të konstatuara në vendngjarje, ndërsa të plagosurit u dërguan në Qendrën Emergjente të Gjilanit. Më vonë, nga Spitali i Gjilanit u bë e ditur se një prej të plagosurve ndërroi jetë, një tjetër u transferua në QKUK në gjendje të rëndë, ndërsa një pacient u pranua në repartin e Ortopedisë.
Policia është në kërkim të tre të dyshuarve – Mefail Shkodra (53), Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22) – për të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë”. Drejtori i Policisë Rajonale në Gjilan, Agron Rukiqi, bëri të ditur se janë lëshuar urdhër-arreste, është kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar, janë lajmëruar pikat kufitare dhe janë kryer kontrolle në tri lokacione. Në vendngjarje është arrestuar edhe një person tjetër, i cili po hetohet për lidhjen e mundshme me rastin.
Prokurori i rastit, Isuf Sadiku, tha se i dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, ka një dosje të gjerë kriminale me mbi 30 vepra penale, përfshirë sulm, prishje të rendit, fajde, mashtrim, kanosje, shantazh, detyrim dhe pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta nga autoritetet lokale. Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, u zotua se “nuk do të lejohet që dhuna të marrë vend në jetën e përditshme” dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e cilësoi rastin si “alarm për rritjen e pasigurisë dhe kriminalitetit” në vend.

Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Zbuten tensionet SHBA-Iran, çmimi i naftës bie 6.7 për qind
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi