Prishtinë, 05 Gusht 2025
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e realizuar ditën e hënë, e ku në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish-drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.
Sveçla në reagimin e tij ka shkruar se krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë.
“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë. Mbështes dhe njëkohësisht insistoj në veprime edhe më të vendosura të Inspektoratit, që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend”, ka deklaruar ai.
Sveçla shtoi tutje se, Policia e Kosovës duhet të jetë adresë e luftimit të krimit dhe asnjëherë dhe ne asnjë rrethanë çerdhe banimi e mburojë e veprimtarive kriminale.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka zhvilluar një aksion të koordinuar që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve në qytetin e Prizrenit dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor, i cili është realizuar me përkushtim nga hetuesit e IPK-së, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.
Ai dyshohet për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet në terren po vazhdojnë, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e kolonelit të dyshuar si pjesë e procedurës administrative.
Prokuroria dhe IPK-ja kanë theksuar se janë të përkushtuara në luftimin e çdo forme të kriminalitetit, përfshirë edhe rastet kur të dyshuarit janë zyrtarë publikë.

“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset
Studentët revoltohen me Specialen, marshojnë në protestë, mbështesin katërshen e UÇK-së
Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Ngrihet aktakuzë për keqpërdorim e mashtrim në prokurimin publik dhe falsifikim të dokumentit
Procedurat e Apelit që duhen ndjekur mbrojtjet e ish-krerët e UÇK-së
FSK zhvillon qitje me mortaja në Shqipëri, thellohet bashkëpunimi me Forcat e Armatosura