Prishtinë, 17 tetor 2026 19 21
Marrëveshjet e ekstradimit në Ballkanin Perëndimor synojnë të parandalojnë arratisjen e personave të akuzuar ose të dënuar drejt vendeve fqinje. Megjithatë, në praktikë, shtetësia e dyfishtë dhe lidhjet politike shpesh ua mundësojnë atyre t’i shmangen drejtësisë.
Një nga rastet më të njohura është ai i ish-presidentit të Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, Svetozar Maroviq. Ai u arratis në Serbi në vitin 2016, pas dënimit për korrupsion në Mal të Zi. Beogradi refuzoi ekstradimin e tij, ndërsa më 10 tetor dënimi u parashkrua.
Sipas profesoreshës së pensionuar të së Drejtës, Vesna Rakiq Vodineliq, lidhjet politike ndikojnë në refuzimin e kërkesave për ekstradim.
Të dënuarit për krime lufte që jetojnë të lirë në Serbi
Serbia vazhdon të jetë strehë për persona të kërkuar nga drejtësia e vendeve fqinje. Ndër ta është ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Novak Gjukiq, i dënuar në Bosnje dhe Hercegovinë me 20 vjet burgim për vrasjen e 71 civilëve në Tuzëll. Ai u arratis në Serbi në vitin 2014 dhe vazhdon të jetojë i lirë në Beograd.
Edhe ish-pjesëtarët e forcave serbe të Bosnjës, Tomisllav Kovaç, Mirko Vruçiniq dhe Dushko Kornjaça, të kërkuar për krime lufte, jetojnë të lirë në Serbi.
Në këtë listë është edhe Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Pavarësisht fletarrestimeve të lëshuara nga Kosova dhe sanksioneve amerikane e britanike, Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, madje është shfaqur edhe në tubime të partisë në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.
Persona të tjerë të kërkuar nga drejtësia kosovare vazhdojnë të jetojnë në Serbi, ndërsa disa prej tyre janë aktivë në politikë dhe media. Mungesa e marrëdhënieve të drejtpërdrejta dhe e një marrëveshjeje ekstradimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e vështirëson bashkëpunimin.
Bosnja strehë për të arratisurit nga Kroacia
Edhe Bosnja dhe Hercegovina është bërë vendstrehim për persona të dënuar në Kroaci. Rasti më i njohur është ai i Zdravko Mamiqit, ish-drejtuesit të Dinamo Zagrebit, i dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burgim për përvetësim të parave të klubit. Ai u arratis në Bosnje dhe Hercegovinë para shpalljes së vendimit dhe nuk u ekstradua.
Të njëjtën rrugë ndoqi edhe vëllai i tij, Zoran Mamiq, i dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim. Ndërkohë, edhe persona të tjerë të kërkuar nga autoritetet kroate kanë përfituar nga shtetësia e dyfishtë për të shmangur vuajtjen e dënimeve.
Të kërkuarit në Kosovë dhe Mal të Zi
Një rast i veçantë është ai i Radomir Llabanit, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që nga viti 2018, i cili i është shmangur vuajtjes së dënimit në Serbi. Emri i tij figuron në listën e personave të kërkuar nga Interpoli, ndërsa në Kosovë janë ngritur shqetësime për integritetin dhe të kaluarën e tij.
Në Mal të Zi, një rast i njohur është ai i ish-kryeministrit tajlandez Taksin Shinavatra, i cili fitoi shtetësinë malazeze në vitin 2009, pavarësisht se kërkohej nga Interpoli. Autoritetet malazeze kishin argumentuar se Kushtetuta nuk lejonte ekstradimin e shtetasve të vendit.
Përveç këtyre rasteve, në Serbi kanë gjetur strehim edhe shtetas të vendeve të tjera, të akuzuar për korrupsion, përvetësim fondesh dhe vepra të ndryshme penale.
Këto raste nxjerrin në pah dobësitë e bashkëpunimit juridik në Ballkanin Perëndimor, ku marrëveshjet e ekstradimit, shtetësia e dyfishtë dhe vendimet politike shpesh nuk garantojnë që personat e dënuar ose të kërkuar do të përballen me drejtësinë.

Sveçla: Nuk do të lejojmë njollosjen e Policisë së Kosovës
156 të lënduar në katër ditë protestash në Tiranë, situata qetësohet në mbrëmje
Pas 27 vjetësh pritjeje, Idriz Rrecaj rivarroset në tokën e Kosovës së lirë
Gati një miliard euro të hyra tatimore deri në shtator
Kosova digjitalizon shërbimet, por a është e gatshme për sulme kibernetike?
Kurti: Në buxhetin e vitit 2027 do të përfshihet mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së
Kosova kërkon nga SHBA blerjen e helikopterëve
Mobilizim elektoral nga Lista Serbe në veri të Kosovës pavarësisht ndalesave – Punonjësit në institucionet paralele nën presion për të mbështetur Vuçiçin
Ura në Graçanicë për 48,966 euro. Oferta është pothuajse identike me buxhetin e planifikuar nga Lista Serbe