Prishtinë, 15 tetor 2026 13:43
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se buxheti i vitit 2027 do të përfshijë mjete financiare për mbështetjen e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve po zhvillohet procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kurti këtë e bëri të ditur në Kuvendin e Kosovës, në përgjigje të pyetjeve të deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila kërkoi informacione për veprimet konkrete të Qeverisë lidhur me strategjinë shtetërore për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së UÇK-së dhe mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në procesin e apelit.
Sipas Kurtit, Qeveria tashmë ka themeluar një grup punues që ka për detyrë hartimin dhe bashkërendimin e kësaj strategjie. Ai tha se synimi është që strategjia të ketë karakter shtetëror dhe të përfshijë institucionet e vendit dhe përfaqësues të subjekteve politike.
“Ne kemi afatin deri më 31 tetor që ta votojmë në mbledhje të Qeverisë buxhetin për vitin 2027. Dhe këtë do ta bëjmë, dhe natyrisht që aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe për çështjen e mbështetjes financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Kurti.
Ai tha se përcaktimi i kostove financiare duhet të bëhet pasi të qartësohen mekanizmat dhe masat që do të përfshihen në strategji.
“Njëherë vjen ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat, e më pastaj edhe kostoja e tyre, jo kostoja para mekanizmave e vizionit”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, grupi punues duhet ta përfundojë punën dhe t’i paraqesë rekomandimet përkatëse. Në këtë proces, sipas tij, janë përfshirë përfaqësues të ministrive përkatëse, Zyra e Presidentes, Zyra e Kryeministrit, Kryesia e Kuvendit, si dhe përfaqësues të grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së, Vetëvendosjes, Aleancës dhe grupit multietnik.
Gjatë seancës, Musliu-Shoshi kërkoi sqarime edhe për një buxhet të veçantë për zbatimin e strategjisë, angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë të së drejtës penale ndërkombëtare dhe mënyrën e mbështetjes së ekipeve mbrojtëse.
Ajo ngriti gjithashtu çështjen e urgjencës së procedurave të apelit, duke kërkuar të dijë se cilat masa janë ndërmarrë deri tani dhe cili institucion do të jetë përgjegjës për zbatimin e rekomandimeve pasi grupi punues ta përfundojë mandatin e tij gjashtëmujor.
Në përgjigjen e tij, Kurti tha se Qeveria do të angazhojë kapacitetet e saj për mbështetjen e përpjekjeve në procesin e apelit dhe për mbrojtjen e asaj që ai e cilësoi si të vërtetën historike të luftës çlirimtare.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare e popullit janë trashëgimi e përbashkët dhe përgjegjësia për mbrojtjen e të vërtetës së saj shkon përtej mandateve të Qeverisë dhe dallimeve partiake”, tha Kurti.
Ai shtoi se masat dhe veprimet që do të përcaktohen përmes strategjisë do të kenë edhe kosto financiare, të cilat, sipas tij, do të mbështeten nga Qeveria e Kosovës.

Lufta kundër krimit të organizuar, shtatë persona përballen me aktakuzë
Konstituohet Bordi i Korporatës për Ruajtjen e Energjisë, synohet ulja e importeve të rrymës
Tensione në protestën para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nga godina del tym i zi
Mbi 15 miliardë euro projekte, Prishtina pret Balkan Summit 2026
Qeveria formon grupin për mbështetjen e apelit të ish-krerëve të UÇK-së
Protesta në Tiranë përshkallëzohet në përplasje me policinë, 21 persona marrin ndihmë mjekësore
Kurti: Në buxhetin e vitit 2027 do të përfshihet mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së
Kosova forcon përafrimin me BE-në përmes masave të reja ndaj Rusisë
Vuçiqit i pengon ndërkombëtarizimi i çështjes së Luginës