Prishtinë, 12 tetor 2026 08:21
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përballet sërish me pikëpyetje lidhur me raportet politike që rrethojnë figura të përfshira në çështje të rënda të sigurisë dhe krim të organizuar.
Në qendër të vëmendjes është Milan Radoiçiqi, i cili është parë pranë Danilo Vuçiqit, djalit të Aleksandar Vuçiqit, në një tubim të Partisë Progresive Serbe (SNS), në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Njohësi i rrethanave politike dhe të sigurisë, Drizan Shala, thotë se paraqitja e Radoiçiqit pranë djalit të presidentit serb nuk duhet parë si një pjesëmarrje e zakonshme politike.
“Paraqitja publike e Milan Radoiçiqit në një tubim të SNS-së, pranë Danilo Vuçiqit, duhet të lexohet përtej një fotografie apo pjesëmarrjeje të zakonshme politike”, thotë Shala, për Veritasinfo.
Sipas tij, Radoiçiqi mbetet një figurë me peshë në aspektin e sigurisë për shkak të rolit të tij të deklaruar në rastin e Banjskës.
“Rikthimi i tij në një hapësirë publike të lidhur me partinë në pushtet në Serbi përcjell një mesazh që nuk mund të injorohet”, shprehet Shala.
Megjithatë, ai thekson se prania pranë Danilo Vuçiqit nuk është në vetvete provë e një urdhri apo marrëveshjeje me Aleksandar Vuçiqin.
“Prania pranë djalit të presidentit nuk është, në vetvete, provë e një urdhri apo marrëveshjeje me Aleksandër Vuçiqin. Por, nëse kjo paraqitje konfirmohet, ajo krijon arsye legjitime për të kërkuar sqarime mbi marrëdhëniet politike të Radoiçiqit dhe mënyrën se si autoritetet serbe po e trajtojnë çështjen e tij”, thotë ai.
Shala vlerëson se rasti i Radoiçiqit tregon edhe për problemet e vazhdueshme në raportet Kosovë–Serbi.
“Nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, rreziku kryesor është që mosndëshkimi i perceptuar të krijojë precedent për përsëritjen e veprimeve destabilizuese”, deklaron Shala.
Sipas tij, Kosova duhet ta ngrejë këtë çështje edhe me partnerët ndërkombëtarë, por duke u mbështetur në prova dhe përgjegjësi juridike.
“Argumenti më i fortë i Kosovës nuk është thjesht se Radoiçiqi është parë pranë djalit të presidentit serb. Argumenti kryesor është se një person që ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur terrorist të përfshirë në Banjskë vazhdon të qëndrojë në Serbi, ndërkohë që institucionet e Kosovës kërkojnë drejtësi për sulmin dhe vrasjen e policit Afrim Bunjaku”, përfundon Shala.

Lista Serbe merret me fushatën zgjedhore në serbi, ndërsa projektet kapitale në veri presin
Roth: Serbia e gjorë, pretendimet ndaj një fqinji e çojnë drejt luftës, jo BE-së
Qeveria e Kosovës: Shfaqja e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së dëshmi e lidhjeve me Serbinë
Organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, Radoiçiq, pranë djalit të Vuçiqit në tubimin parazgjedhor të SNS-së në Kragujevc
Alarm për diasporën shqiptare: Vuçiq po përgatit pengesa për votuesit
Policia e Kosovës: Fushatat zgjedhore të Serbisë nuk lejohen në Kosovë
Vuçiq dhe Radoiçiq në të njëjtën skenë politike, fotografia e lidhjeve mes pushtetit dhe krimit
Vritet një person në Gjilan
Rusia sulmon termocentralin ukrainas pak orë pas ‘armëpushimit energjetik’