Prishtinë, 29 shtator 2026 09:28
Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, sot në orën 09:30, mbahet seanca gjyqësore ndaj tre të pandehurve për sulmin në kanalin “Ibër-Lepenc”, i cili ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon të tre të pandehurit për armëmbajtje pa leje, ndërsa vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq akuzohen edhe për veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin ose dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjes së veprës terroriste dhe spiunazhit.
Aktakuza ndaj tre të pandehurve është ngritur më 9 dhjetor 2025 nga Prokuroria Speciale, e cila i lidh të akuzuarit me sulmin që shkaktoi dëme të konsiderueshme në kanalin “Ibër-Lepenc”, një prej objekteve kryesore të infrastrukturës ujore të Kosovës.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu janë përfshirë edhe deklarimet e Jovan Viqentijeviqit para Prokurorisë. Sipas aktakuzës, ai ka deklaruar se ishte trajnuar në poligonin e ushtrisë serbe “Pasulanske Livade”, së bashku me rreth 120 persona të tjerë, gjatë periudhës 14–23 shtator 2023.
Sipas Prokurorisë, në të njëjtin poligon, gjatë shtatorit 2023, ishin zhvilluar trajnime edhe nga grupi i Milan Radoiçiqit, i cili akuzohet se ishte përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Në deklarimin e tij, sipas aktakuzës, Viqentijeviqi ka thënë se në Kosovë ishte planifikuar edhe një sulm tjetër në tetor 2024, por se ky plan ishte anuluar. Në aktakuzë përmendet gjithashtu deklarimi se për realizimin e këtij sulmi ishte pritur përfundimi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Në mesin e provave të administruara nga Prokuroria është edhe një ekspertizë e kryer nga Byroja Federale e Hetimit (FBI). Sipas aktakuzës, ekspertiza ka konstatuar se materiali i gjetur në çizmet e të akuzuarve kishte strukturë, ngjyrë dhe përbërje të njëjtë me mostrën e marrë në vendin e shpërthimit në kanalin “Ibër-Lepenc”.
Sulmi në kanalin “Ibër-Lepenc” ndodhi më 29 nëntor 2024 në Varagë të Zubin-Potokut, ku një shpërthim dëmtoi rëndë kanalin që furnizon me ujë pjesë të rëndësishme të Kosovës dhe luan rol në proceset e prodhimit të energjisë.
Në seancat gjyqësore pritet të shqyrtohen provat e Prokurorisë dhe të mbrojtjes, si dhe dëshmitë lidhur me rrethanat e shpërthimit dhe rolin e pretenduar të të akuzuarve.

Për të 13-n ditë protestuesit kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
Identifikohen mbetjet mortore të dy personave në veri të Kosovës
Gjykata lejon gjykimin në mungesë të 21 të akuzuarve për krime lufte
Dëbimi i qindra mijëra shqiptarëve, nis gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve
Protesta në Shkup, Gjenevë, Oslo, Treviso, Melburn dhe në disa qytete të Gjermanisë kundër aktgjykimit të Speciales
Dosja 23: Mësohen emrat e nëntë serbëve të arrestuar për krime lufte në Zubin Potok
Vazhdon gjykimi për sulmin në kanalin “Ibër-Lepenc”
Shtëpia e Kulturës së Runikut të Skenderajt nga kujtesa lokale në skenën e New Yorkut
BE-ja planifikon mekanizëm të ri për reagim ndaj kërcënimeve hibride
“Akordet e Kosovës” rikthehen me format të zgjeruar, përfshihen edhe fëmijët