Prishtinë, 28 shtator 2026 13:38
Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën e përbashkët lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Deklarata e harmonizuar u lexua nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Deklarata u miratua me 99 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kjo është përmbajta e deklaratës:
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.
Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.

Kurti kërkon nga Macroni mbështetjen e Francës për statusin e kandidatit të Kosovës në BE
Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për Raportin e KE-së për Kosovën
Trump nominon Mikhail Bogachekun për ambasador të SHBA-së në Kosovë
Kurti kërkon nga udhëheqja e re e Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës
Kosova meriton avancimin evropian, Murtezaj vë në pah pengesat politike
Lista Studentore rrëzoi Vuçiqin, por jo retorikën nacionaliste ndaj Kosovës
Sveçla: 782 milionë euro shpenzime për Policinë, 189 milionë për pajisje dhe armatim
Radulloviqi përballet me akuzat për terrorizëm në Banjskë, ndërpritet seanca
Krenaria shqiptare me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa kryeson Coachella-n
Krimet e luftës në Gjilan, dëshmitari: Gjurmët e plumbave ende janë të dukshme