Prishtinë, 25 shtator 2026 15:16
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës është dërguar në Qeveri për mendim, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që nisma të trajtohet me urgjencë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se fokusi institucional duhet të jetë te procedimi i kësaj nisme.
Sipas Tahirit, Kuvendi pritet të miratojë të hënën një deklaratë të përbashkët, ndërsa ai kërkoi që Qeveria të japë mendimin për projektligjin dhe procesi të vazhdojë pa vonesa.
Tahiri tha se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar se do të angazhohet dhe do të komunikojë me kryeministrin për trajtimin me urgjencë të nismës.
Projektligji i propozuar nga PDK-ja parasheh ndryshime në mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara, përfshirë kufizimin e mandatit të tyre në trajtimin e krimeve të përfshira në raportin e Dick Martyt dhe vendosjen e monitorimit ndërkombëtar të punës së tyre. Për krimet e luftës për të cilat janë dënuar ish-krerët e UÇK-së, nisma parasheh që procedimet të zhvillohen në Kosovë.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se nisma duhet të trajtohet me kujdes dhe se, sipas saj, para hartimit të ndryshimeve është dashur të konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.
Haxhiu tha se nuk dëshiron ta paragjykojë nismën e PDK-së, por kërkoi që veprimet institucionale të jenë të koordinuara dhe të mos ndërmerren vetëm për të krijuar përshtypjen se po bëhet diçka.
Ajo gjithashtu sqaroi se në Kuvend nuk është proceduar ndonjë kërkesë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale.
Nga Aleanca për Ardhërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se Kosova ka nevojë për qëndrueshmëri politike, ndërsa ka kërkuar mbështetje institucionale dhe shtetërore për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Lista e Enkel Rexhepit del e para në zgjedhjet për KKSH-në, siguron 10 nga 29 mandatet
Britania e Madhe rikonfirmon mbështetjen për Kosovën, Burnham i shkruan Kurtit
Ndryshimet në Beograd mund të godasin rrjetin e Listës Serbe dhe strukturat paralele në Kosovë
Kurti fton shqiptarët e Luginës të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar
Shala: Institucionet e Kosovës duhet ta monitorojnë komunikimin e Qeverisë së re të Serbisë me serbët e Kosovës
Kurti: Kosova meriton statusin e vendit kandidat në BE, pozita aktuale nuk e pasqyron progresin e bërë
Foda: Duam ta mposhtim Izraelin, objektivi i Kosovës është qëndrimi në Ligën B
Kurti fton diasporën në Francë të investojë në Kosovë
Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë ruajnë dokumente shekullore, theksohet rëndësia e digjitalizimit
Hakerët zbulojnë humbjet ruse në Ukrainë, pretendohet se janë vrarë deri në 450 mijë persona