Prishtinë, 21 shtator 2026 08:36
Pas më shumë se 27 vitesh pritjeje dhe pasigurie, familja Mëziu nga Marina e Skenderajt ka marrë një përgjigje për fatin e njërit prej familjarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Tomor Mëziu ka njoftuar se është identifikuar babai i tij, Salih Mëziu, njëri nga 10 pjesëtarët e familjes Mëziu që ishin zhdukur në kuadër të të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”.
Në një njoftim drejtuar familjarëve dhe miqve, Mëziu ka përshkruar dhimbjen e familjes pas më shumë se dy dekadash pritjeje për të mësuar se ku ndodhej i afërmi i tyre.
“Pas më shumë se 27 vitesh pritjeje, kjo është një përgjigje e dhimbshme, por njëkohësisht e shumëpritur”, ka shkruar ai, përcjell Veritasinfo.
Sipas tij, për familjen këto vite kanë kaluar mes ankthit, shpresës dhe dhimbjes, ndërsa mungesa e një përgjigjeje për fatin e të zhdukurve ka bërë që pritja të vazhdojë për më shumë se një çerek shekulli.
“Sot, edhe pse kemi marrë një përgjigje, zemrat tona mbeten të thyera”, ka deklaruar Mëziu.
Familja, megjithatë, vazhdon të presë identifikimin edhe të pjesëtarëve të tjerë të saj, me shpresën që një ditë të mund t’u japë atyre lamtumirën e fundit dhe t’i varrosë me nderimin që meritojnë.
Mëziu ka bërë të ditur se familja është në koordinim me institucionet kompetente dhe po pret informacione të tjera lidhur me fatin e familjarëve të mbetur të zhdukur.
Identifikimi i Salih Mëziut shënon një moment të rëndë për familjen, por njëkohësisht i jep fund një pjese të pasigurisë së gjatë që e ka shoqëruar atë që nga koha e luftës.
Për familjen Mëziu, pritja ende nuk ka përfunduar.

Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë, do t’i bashkohen trupës së oficerëve