Prishtinë, 19 shtator 2026 22:54
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nevojitet një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim ndaj verdiktit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E ka thënë këtë pas njoftimit për takim me të rinjtë e diasporës shqiptare në Amerikë në New York. Kurti është zotuar se Qeveria do të ofrojë mbështetje për të korrigjuar vendimin e Speciales. Ka shtuar se duhet t’u ndihmohet ekipeve në instancat e Apelit, por edhe që të ketë reagim në rrafshin diplomatik.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht. Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm”, ka shkruar Kurti në Facebook. “Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërperë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë”.
Kurti ka njoftuar se me të rinjtë ka diskutuar edhe për ekonominë dhe për nevojën për përmirësim të sistemit gjyqësor.
Në mesjavë, Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim për krime lufte Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Të dënuarit kanë paralajmëruar ankesën në Apel, ndërsa në Kosovë vazhdimisht po organizohen protesta ndaj vendimit.

Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Sveçla: Kosova mbetet partner serioz i Europol-it
Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë, do t’i bashkohen trupës së oficerëve