Prishtinë, 18 shtator 2026 13:42
Në përmbyllje të protestës së organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku morën pjesë mijëra qytetarë, organizatorët kanë paraqitur katër kërkesa për institucionet e vendit, për të cilat e kanë kërkuar mbështetjen e protestuesve përmes brohoritjeve.
Kërkesa e parë ishte shfuqizimi ose ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Si kërkesë të dytë, organizatorët kërkuan nga kryeministri Albin Kurti shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Kërkesa e tretë ishte mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.
Ndërsa kërkesa e katërt ishte angazhimi i ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.
Organizatorët thanë se këto kërkesa synojnë të shprehin qëndrimin e tyre pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“UÇK-ja jemi ne, UÇK-ja është shteti i Kosovës dhe ne nuk do të lejojmë të na merrni atë që e kemi fituar me gjak”, u tha në fund të protestës, teksa qytetarëve të mbledhur iu kërkua që shpërndahen të qetë.
Gucati në protestë: Vendimi i Speciales është padrejtësi ndaj UÇK-së
Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka mbajtur fjalim në protestën e organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gucati tha se tubimi është thirrur për të ngritur zërin kundër padrejtësisë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai kërkoi që vendimi i Speciales të shfuqizohet dhe që, siç tha, të merret parasysh qëndrimi i qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Gucati kritikoi edhe institucionet e Kosovës për mungesë reagimi ndaj vendimit, ndërsa kërkoi sqarime lidhur me dokumentacionin dhe informacionet e përdorura në proceset gjyqësore në Hagë.
Në fjalimin e tij, ai bëri thirrje për bashkim të veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe qytetarëve në mbështetje të UÇK-së dhe kundër, siç tha ai, padrejtësive ndaj saj.
Gucati gjithashtu kritikoi mos reagimin e ministres së drejtësisë, Donika Gërvalla, duke kërkuar njëherësh shkarkimin e saj nga kjo detyrë.
Altin Krasniqi: Sot duhet të qëndrojmë përsëri në këmbë, jo me urrejtje, por me ligj dhe dinjitet
Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-udhëheqësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka bërë thirrje për bashkim dhe ndjekje të rrugëve ligjore për drejtësi, gjatë protestës së organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në fjalimin e tij, Krasniqi tha se procesi në Hagë nuk duhet të shihet vetëm si çështje ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por si një çështje që, sipas tij, prek historinë dhe sakrificën e popullit të Kosovës.
“Sot jam këtu para jush jo vetëm si biri i një njeriu që po përballet me këtë padrejtësi, por si biri i këtij populli dhe si qytetar i Kosovës”, tha ai.
Krasniqi u shpreh se familjarët do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, duke kërkuar që proceset gjyqësore të bazohen në prova dhe të zhvillohen në mënyrë të paanshme.
“Provat duhet të shqyrtohen me paanshmëri, dëshmitë duhet të vlerësohen me drejtësi dhe askush nuk duhet të dënohet mbi bazat e provave të fabrikuara e të manipuluara”, deklaroi ai.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve dhe partive politike që t’i lënë mënjanë dallimet politike dhe të bashkohen për atë që e cilësoi si një proces të drejtë dhe të bazuar në prova.
“Le t’i lëmë mënjanë dallimet tona politike! Duhet të bashkohemi dhe të kërkojmë rrugën ligjore që garanton një proces të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar në prova të besueshme”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se kundërshtimi ndaj vendimeve duhet të bëhet përmes ligjit dhe argumenteve.
“Duhet të qëndrojmë përsëri në këmbë – jo me urrejtje, jo me hakmarrje, por me argumente, me ligj, me dinjitet dhe unitet!”, u shpreh ai.
Në fund të fjalimit, Krasniqi përmendi emrat e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe bëri thirrje për lirinë e tyre.
“Liri për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Salih Mustafën, Pjetër Shalën!”, tha ai.

Nis protesta në sheshin e Prishtinës, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Galica: Brovina ishte luftëtare e UÇK-së, ajo nuk u ndal as kur u burgos
“Jo në emrin tonë”, Këshilli i Ambasadorëve reagon pas aktgjykimit ndaj krerëve të UÇK-së
Sot i jepet lamtumira e fundit Flora Brovinës
Sot në 12:00 protestë gjithëpopullore
Thaçi mohon çfarëdo përfshirje në vrasje
Paraqiten katër kërkesa në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së
Senatorja Jeanne Shaheen: Serbia dhe Republika Sërpska kanë lidhje me Rusinë dhe interes për destabilizimin e rajonit