Prishtinë, 18 shtator 2026 08:19
Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës ka shprehur shqetësim dhe indinjatë pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të shpallur më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar më 17 shtator, Këshilli ka thënë se procesi gjyqësor kërkon, sipas tij, një shqyrtim kritik, duke ngritur çështje që lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit para gjykimit, strukturën e Dhomave të Specializuara dhe mënyrën e aplikimit të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Këshilli ka shprehur gjithashtu shqetësime për përdorimin e inferencave rrethanore në përcaktimin e përgjegjësisë individuale, duke argumentuar se këto çështje, të marra së bashku, ngrenë pikëpyetje mbi procesin dhe standardin e fajësisë përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Ne mbetemi të pa bindur se standardi i fajësisë përtej një dyshimi të arsyeshëm u përmbush”, thuhet në deklaratë.
Sipas Këshillit, Kosova e kishte pranuar krijimin e një mekanizmi të jashtëzakonshëm gjyqësor në emër të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Për këtë arsye, ai shpreh zhgënjim që, sipas tij, procesi nuk ka dëshmuar nivelin e rigorozitetit procedural, evidencës dhe integritetit gjyqësor që pritej.
Në deklaratë, Këshilli e lidh luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me, siç thotë, vitet e represionit, persekutimit dhe dhunës ndaj popullit të Kosovës, duke theksuar se lufta përfundimisht çoi në ndërhyrjen ndërkombëtare.
“Asnjë gjykim nuk mund ta fshijë atë histori apo ta zvogëlojë legjitimitetin e luftës së Kosovës për çlirim”, thuhet në deklaratë.
Këshilli ka reaguar edhe ndaj formulimit se aktgjykimi është shqiptuar “në emër të popullit të Kosovës”.
“Përgjigjja e përhapur në të gjithë Kosovën ka qenë e qartë, dhe ne e ndajmë atë: Jo në emrin tonë”, thuhet në deklaratë.
Këshilli i Ambasadorëve u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të shqyrtojnë nga afër fazat e mbetura të procesit, ndërsa ka kërkuar një analizë të hollësishme të arsyetimit ligjor dhe standardeve të provave të aplikuara në rast.
Në fund, Këshilli ka bërë thirrje që reagimet ndaj aktgjykimit të jenë të qeta, dinjitoze dhe paqësore, duke thënë se zëri i Kosovës duhet të shprehet në mënyrë që të pasqyrojë vlerat dhe pjekurinë demokratike të vendit.
“Ne jemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin dhe familjet e tyre”, thuhet në deklaratë.
“Kosova ka kërkuar drejtësi, e ka mbështetur dhe ka bërë sakrifica të jashtëzakonshme në emër të saj. Ajo që ne kërkojmë sot është që drejtësia të jetë e denjë për atë angazhim”, përfundon deklarata.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës