Prishtinë, 17 shtator 2026 12:07
Dështon nisja e gjykimit në mungesë ndaj pesë të akuzuarve për vrasjen e civilëve shqiptarë
Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka arritur të nisë të enjten gjykimin në mungesë ndaj pesë personave të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Seanca nuk është mbajtur për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të akuzuarve, Zoran Dzeletoviqit. Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, ka bërë të ditur se do të kërkojë sqarime nga Oda e Avokatëve të Kosovës lidhur me mungesën e mbrojtësit.
Për këtë rast akuzohen Predrag Nikoliq, Zoran Dzeletoviq, Ivan Ivanov, Sinisha Milanoviq dhe Jovica Deniq.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 1 qershor 2026, pesë të akuzuarit dyshohet se janë përgjegjës për vrasjen e pesë civilëve shqiptarë, pjesëtarë të së njëjtës familje.
Ngjarja, sipas aktakuzës, ka ndodhur më 6 maj 1999. Prokuroria pretendon se viktimat, të cilët po udhëtonin në rrugën Prishtinë–Fushë-Kosovë, janë ndaluar nga persona që atëkohë ishin pjesëtarë të Policisë serbe në Stacionin Policor në Fushë-Kosovë.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, civilët janë futur në një automjet policor me arsyetimin se do të dërgoheshin në stacionin e trenit, por më pas dyshohet se janë dërguar në zonën e njohur si “Megja”, ku edhe janë vrarë.
Aktakuza pretendon gjithashtu se dokumentet personale të viktimave janë marrë dhe më pas janë djegur.
Pesë të akuzuarit nuk ndodhen në Kosovë, ndërsa Prokuroria Speciale ka kërkuar që ndaj tyre procedura gjyqësore të zhvillohet në mungesë.
Seanca e radhës pritet të caktohet pasi të adresohen çështjet që lidhen me përfaqësimin e të akuzuarve.

Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë, do t’i bashkohen trupës së oficerëve