Prishtinë, 14 shtator 2026 10:46
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të gjejnë një kompromis për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke paralajmëruar se një proces i ri zgjedhor do të ishte i panevojshëm dhe në dëm të interesit publik.
Në adresimin e tij në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, Kurti tha se Kosova tashmë ka Kuvend të konstituar dhe Qeveri të zgjedhur, ndërsa çështja e presidentit mbetet për t’u zgjidhur.
Ai u shpreh mirënjohës qytetarëve për besimin e dhënë dhe deputetëve për votimin e Qeverisë, duke theksuar se institucionet e reja kanë përpara shumë punë, projekte dhe sfida.
Kurti rikujtoi zhvillimet politike që çuan në zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se vendi kishte kaluar nëpër dy procese zgjedhore të njëpasnjëshme, të cilat i cilësoi si të kushtueshme dhe pa rezultat të ri politik.
Sipas tij, tashmë situata është ndryshe, pasi Kuvendi është konstituar dhe Qeveria është zgjedhur.
“Ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president”, tha Kurti.
Ai u shpreh i shqetësuar për qëndrimet e disa deputetëve të LDK-së që, sipas tij, nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen politike të arritur mes dy subjekteve.
“Tani është për sfidë me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi bisedimesh jo të lehta të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona”, deklaroi ai.
Kurti tha se Kosova është shumë pranë zgjidhjes së çështjes së presidentit dhe se do të ishte e pafalshme që vendi të shkonte përsëri në zgjedhje.
“Jemi kaq afër zgjidhjes për presidentin saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë”, tha Kurti.
Në cilësinë e kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ai u bëri thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të gjejnë një zgjidhje për presidentin.
“Le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë”, u shpreh ai.
Kurti paralajmëroi se një proces i ri zgjedhor nuk do të sillte domosdoshmërisht ndryshime në skenën politike.
“Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sjellë diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”, tha ai.
Sipas Kurtit, shembull i mundësisë për kompromis politik është vetë konstituimi i Kuvendit.
Ai tha se Vetëvendosje pranoi kandidaturat e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, pavarësisht vërejtjeve që kishte për to.
“Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë jam i bindur që do t’i sjellë vendit presidentin e ri”, përfundoi Kurti.

Kurti emëron 27 zëvendësministra
Seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Kongres, i ftuar zyrtari i State Departamentit
Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro dhe dyfishim të shtesave për fëmijë
Zgjidhet Qeveria Kurti 4
Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për formimin e Qeverisë së re
Lëvizja Vetëvendosje propozon Albin Kurtin për mandatar për formimin e Qeverisë
Albulena Haxhiu porosi familjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit: Kosova është me ju
Specialja dënon Kadri Veselin me 18 vjet burgim
13 vjet burg për Rexhep Selimin
Specialja dënon Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim