Prishtinë, 13 shtator 2026 16:18
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit të qeverisë së re, ka paralajmëruar rritjen e pagës mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro në muaj, dyfishimin e shtesave për fëmijë, si dhe një program prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri.
Kurti tha se nuk do të ketë një ekspoze të re, pasi, sipas tij, zgjedhjet e përsëritura vetëm e kanë ndërprerë qeverisjen e njëjtë.
“Të nderuar deputetë, nuk do të kem ekspoze të re realisht, ngaqë këtu zgjedhjet e përsëritura vetëm se na e kanë ndërprerë qeverisjen e njëjtë. Andaj do të përpiqem të jem më i shkurtër dhe të prezantoj kabinetin e ri qeverisës”, tha ai.
Kurti tha se vizioni i qeverisjes së tij është “punë për qytetarin dhe mbrojtje për familjen”.
“Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën. Investimet tona krijojnë shtet e qytetarë të sigurt dhe shoqëri e familje të begatë”, tha Kurti.
Kurti: Paga mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro
Kurti tha se në pesë vitet e fundit Kosova ka pasur rritje mesatare ekonomike prej 6 për qind, ndërsa në çerekun e parë të këtij viti, sipas tij, rritja ishte 5.4 për qind.
Ai tha se bruto produkti vendor, nga rreth 7 miliardë euro, ka arritur në 11 miliardë euro, ndërsa për këtë vit projektohet të arrijë në 12 miliardë euro.
Sa i përket punësimit, Kurti tha se numri i të punësuarve është rritur nga 350 mijë në 430 mijë.
Ai tha se pagat në sektorin publik gjatë mandatit që po përmbyllet kanë shënuar rritje mesatare prej 47 për qind.
“Kjo rritje do të vazhdojë edhe në mandatin që vjen, në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke e ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1,000 euro në muaj”, tha Kurti.
Dyfishim i shtesave për fëmijë
Kurti paralajmëroi edhe dyfishimin e shtesave për fëmijë në mandatin e ardhshëm.
“Shtesat për fëmijë, që sot janë 30 deri në 45 euro për çdo fëmijë, në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë. Pra, nga zero sa i gjetëm në 45, dhe në mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për fëmijë, te familjet me tre e më shumë fëmijë”, tha ai.
Ai shtoi se shtesat për nënat e reja dhe lehonat, nga 1 korriku, janë rritur në 500 euro në muaj për gjashtë muaj.
Program prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri
Kurti tha se në mandatin e ri synohet nisja e, siç e quajti ai, “transformimit më të madh ekonomik e industrial” në vend.
“Prodhimi është themel i zhvillimit tonë ekonomik”, tha ai.
Sipas Kurtit, Banka Zhvillimore do t’i financojë drejtpërdrejt projektet strategjike dhe do t’i mbështesë ndërmarrjet e vogla e të mesme.
“Programi prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri do të garantojë kredi për investime nga kapacitetet e reja, përfshirë industrinë krijuese dhe skemat e subvencionimit të pagave”, tha Kurti.
Heqje e taksës doganore për veturat nga BE-ja
Kurti paralajmëroi edhe heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian.
“Për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian do të hiqet taksa doganore prej 10%, ndërkaq Ligji për Çmimet Tavan do t’i mbrojë qytetarët dhe tregtarët e ndershëm nga abuzimi me marzhet”, tha ai.
Valutë digjitale dhe Kullë TIK në Prishtinë
Kurti tha se do të nisë edhe zhvillimi i valutës digjitale të Kosovës.
“Do ta nisim zhvillimin e valutës digjitale të Kosovës, të mbështetur në teknologjinë e zinxhirit të blloqeve, për pagesa dhe shërbime digjitale”, tha ai.
Ai paralajmëroi gjithashtu ndërtimin e Kullës TIK në qendër të Prishtinës për kompanitë që rriten dhe punësojnë.
Kurti tha se në kuadër të parqeve të inovacionit dhe teknologjisë synohet ndërtimi i 15 qendrave të inovacionit dhe inkubatorëve deri në fund të mandatit të ardhshëm.
Ai tha se në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren do të zhvillohet edhe qendra e parë e Kosovës për hulumtim dhe zhvillim në fushën e energjisë.
Kurti: Asnjë gjykatë vendore e ndërkombëtare s’mund ta njollosë UÇK-në
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në, ndërsa kërkesën e Prokurorisë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit e ka quajtur “të padrejtë” dhe “të pabesueshme”.
“Të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit. Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë, e pabesueshme, në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe me drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, tha Kurti.
Ai tha se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës do të jetë “i njëjtë dhe i qartë”.
“Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato janë kryer nga regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, nën udhëheqjen e Millosheviqit. Asnjë gjykatë vendore e ndërkombëtare s’mund ta njollosë UÇK-në”, deklaroi Kurti.
Më pas, Kurti vazhdoi me prezantimin e prioriteteve dhe zotimeve të qeverisë së re, duke thënë se nuk do të ketë një ekspoze të re, pasi, sipas tij, zgjedhjet e përsëritura vetëm e kanë ndërprerë të njëjtën qeverisje.

Kurti emëron 27 zëvendësministra
Seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Kongres, i ftuar zyrtari i State Departamentit
Kurti thirrje liderëve politikë: Ta zgjidhim çështjen e presidentit
Zgjidhet Qeveria Kurti 4
Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për formimin e Qeverisë së re
Lëvizja Vetëvendosje propozon Albin Kurtin për mandatar për formimin e Qeverisë
Albulena Haxhiu porosi familjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit: Kosova është me ju
Specialja dënon Kadri Veselin me 18 vjet burgim
13 vjet burg për Rexhep Selimin
Specialja dënon Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim