Zubin Potok, 11 shtator 2026 20:45
Kosova ka nisur prodhimin vendor të transformatorëve elektrikë. Nga sot, në Zubin Potok ka filluar punën fabrika e parë në vend që merret me projektimin dhe prodhimin e transformatorëve, një produkt që deri tani importohej nga shtetet e tjera.
Fabrika, e operuar nga kompania ElectroPlus, synon që përmes prodhimit vendor të mbulojë nevojat e tregut të Kosovës dhe, në të ardhmen, të zgjerohet edhe në tregun ndërkombëtar.
Pronari i kompanisë, Hetem Tërllabuqi, tha se fabrika do të merret me prodhimin e mbështjellësve të transformatorëve, testimin dhe përgatitjen e tyre për treg.
“Fabrika jonë e re do të merret me prodhimin e mbështjellësve të transformatorëve, testimin dhe përgatitjen e tyre për tregun e Kosovës. Ky produkt përdoret për çdo objekt, fabrikë apo institucion që ka konsum më të madh të energjisë dhe është i detyruar të vendosë transformator. Përpara jemi furnizuar nga shtetet e tjera, ndërsa tash shpresojmë ta furnizojmë tregun e Kosovës”, tha Tërllabuqi.
Kapaciteti i transformatorëve që do të prodhohen në këtë fabrikë do të jetë nga 50 deri në 5,000 kilovolt-amper (kVA).
Sipas Tërllabuqit, prodhimi vendor pritet të jetë vetëm hapi i parë drejt depërtimit në tregjet e huaja. Ai bëri të ditur se këtë vit kompania do të prezantojë produktet e saj në dy panaire ndërkombëtare.
“Për herë të parë me produktin tonë ‘Made in Kosova’, me transformatorë, këtë vit do të jemi në dy panaire ndërkombëtare. Shpresojmë që, dashtë Zoti, do ta gjejmë ndonjë kompani ndërkombëtare me të cilën mund të bashkëpunojmë dhe të ecim bashkë në rrugën që e kemi synuar”, deklaroi ai.
Zubin Potoku, lokacioni i fabrikës
Fabrika është vendosur në Zubin Potok, ndërsa pronari i saj tha se përzgjedhja e këtij lokacioni lidhet edhe me synimin për të punësuar banorë të rajonit.
Sipas tij, objekti është renovuar për rreth 14 muaj, pasi më parë ishte në gjendje të rënduar.
“E kemi marrë dhe e kemi renovuar për 14 muaj. Kemi punuar rregullisht dhe vazhdimisht. Ka qenë në gjendje të tmerrshme. Në fillim ka qenë sfiduese, por banorët na kanë pritur shumë mirë. Po shpresojmë që edhe ata do të punojnë këtu”, tha Tërllabuqi.
Fillimi i aktivitetit në këtë objekt u bë i mundur pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit ia dha kompanisë ElectroPlus në shfrytëzim hapësirën.
Kryetari i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Hekuran Nikqi, tha se objekti, i cili për vite ishte jashtë funksionit, tash po rikthehet në funksion ekonomik.
“Një hapësirë që për vite ka qenë jashtë funksionit po shndërrohet në një qendër të re të prodhimit dhe punësimit. Kjo është mënyra se si një aset kthehet në vlerë. Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka mundësuar këtë hap përmes dhënies në dispozicion të këtij objekti kompanisë ElectroPlus për zhvillimin e aktivitetit afarist”, deklaroi Nikqi.
Rizvanolli: Arritje strategjike për sektorin energjetik
Inaugurimi i fabrikës u bë një natë më parë, në një ceremoni ku morën pjesë familjarë, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues institucionalë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cilësoi prodhimin vendor të transformatorëve si një zhvillim me rëndësi për sektorin energjetik të Kosovës.
“Transformatorët që ju do t’i prodhoni janë një komponent i pazëvendësueshëm në çdo sistem energjetik modern. Ato mundësojnë transmetimin dhe shpërndarjen e sigurt dhe efikase të energjisë elektrike, duke qenë hallka që lidh konsumatorin me prodhimin. Prandaj, fakti që Kosova do të ketë prodhim vendor të transformatorëve me kapacitete prej 50 deri në 5,000 kilovolt-amper është një arritje me rëndësi strategjike për sektorin tonë energjetik”, tha Rizvanolli.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se hapja e fabrikës dëshmon se investimet dhe krijimi i vendeve të punës janë të mundshme në të gjitha pjesët e Kosovës.
“Hapja e një fabrike është lajm i mirë për ekonominë, sepse tregon se investimi, zhvillimi i biznesit dhe krijimi i vendeve të punës janë të mundshme tanimë në çdo cep të Kosovës”, deklaroi Kusari-Lila.

Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Gjykata cakton paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte
Qelaj: Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Banka Botërore ndan 6.8 milionë dollarë shtesë për shëndetësinë në Kosovë
Dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha
Hapet konkursi për specializime në shëndetësi, në dispozicion 313 vende
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000