Prishtinë, 30 tetor 2026 18:26
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dështuar në garantimin dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së.
Qelaj këto deklarata i bëri gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës, ku u diskutua edhe raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit për funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Sipas tij, gjetjet e raportit çojnë në përfundimin se janë cenuar të drejtat e njeriut të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dështuar për të garantuar respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë. Me këtë i kanë shkelur të drejtat e njeriut”, ka deklaruar Qelaj.
Ai ka thënë se Institucioni i Avokatit të Popullit e ka përcjellë çështjen prej vitesh dhe se shqetësimet e ngritura nuk kanë marrë përgjigje të mjaftueshme nga Dhomat e Specializuara. Sipas tij, në raste të ndryshme i është thënë se institucioni që drejton nuk ka mandat për të ndërhyrë në çështjet e Speciales.
Qelaj ka kundërshtuar këtë argument, duke theksuar se të drejtat e njeriut janë universale dhe se roli i Avokatit të Popullit lidhet me vlerësimin e respektimit të tyre.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për mungesën, sipas tij, të transparencës dhe llogaridhënies së Dhomave të Specializuara ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se në raportin e tij janë trajtuar, ndër të tjera, çështjet që lidhen me procesin e drejtë dhe të paanshëm, kohëzgjatjen e paraburgimit, pranueshmërinë e provave, monitorimin e komunikimeve dhe mekanizmat mbikëqyrës.
Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë kundërshtuar më herët disa interpretime lidhur me raportet për standardet e të drejtave të njeriut, duke theksuar se ato janë institucion gjyqësor i pavarur.

Banka Botërore ndan 6.8 milionë dollarë shtesë për shëndetësinë në Kosovë
Dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha
Hapet konkursi për specializime në shëndetësi, në dispozicion 313 vende
Nis hartimi i ligjit për pensionimin e parakohshëm të policëve, synohet pensionimi gradual deri në 55 vjeç
Kurti pranoi raportet lidhur me rastin e Arlinda Zekajt
Kuvendi formon Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt
Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit
Ballkani triumfon bindshëm ndaj Drenicës