Prishtinë, 10 shtator 2026 14:15
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka vazhduar gjykimi ndaj Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në zonën e Istogut.
Në seancë ka dëshmuar Hava Avdylaj, e cila ka deklaruar se vajzën e kishte lindur derisa mbahej e ndaluar nga forcat serbe në një shtëpi në Istog dhe se nuk ishte dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Avdylaj ka thënë se fillimisht ishte fshehur me familjen në një pyll në zonën e Istogut. Sipas dëshmisë së saj, forcat serbe i kishin detyruar të niseshin në drejtim të Shqipërisë, por pasi kishin arritur në Prizren, ishin kthyer sërish në Istog.
Ajo ka treguar se pas largimit të tyre, shtëpitë ku jetonin ishin djegur. Pas kthimit në Istog, familja ishte dërguar në një depo, ku kishte qëndruar tri net së bashku me rreth 280 persona.
Më pas, sipas saj, ata ishin transferuar në shtëpitë private të familjes Alushaj, ku kishin qëndruar deri në përfundim të luftës.
Dëshmitarja ka deklaruar se policia dhe ushtria serbe nuk i lejonin të largoheshin nga këto shtëpi. Ajo ka thënë se vetëm një herë u ishin dhënë bukë dhe mjete bazë higjienike, ndërsa në pjesën tjetër të kohës nuk kishin marrë ushqim, ujë apo ndihma të tjera nga forcat serbe.
Avdylaj ka deklaruar se Pantiqin e kishte parë vetëm ditën kur ai i kishte dorëzuar një dokument. Sipas saj, ajo e kishte identifikuar më vonë nënshkrimin e tij në dokument, i cili lidhej me ndryshimin e vendbanimit pasi shtëpitë e tyre ishin djegur.
“E dija se ai ishte në Istog nga emri i tij. Derisa ishim në Istog, ai na solli një traktor me ushqim dhe si dëshmi na dha këtë dokument që vërtetonte se kishim qenë atje”, ka thënë dëshmitarja.
Ajo ka thënë se nuk e ka parë Pantiqin më para apo pas luftës.
E pyetur nga gjyqtarja Donika Shala-Abdyli nëse kishte qëndruar në atë shtëpi për sigurinë e saj apo ishte detyruar të qëndronte aty, dëshmitarja është përgjigjur se, meqë nuk u lejohej të dilnin, ajo ishte e detyruar të qëndronte.
Ndërkaq, për pyetjet nëse kishte pasur rrahje apo keqtrajtime në shtëpitë dhe depon ku ishin mbajtur, Avdylaj ka thënë se nuk kishte dijeni, pasi për këto çështje diskutonin burrat që ndodheshin në shtëpi.
Seanca u ndërpre pas përfundimit të orarit të punës së gjykatës dhe gjykimi do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 1 shtator 2024, ish-shefi i Stacionit Policor në Istog, Momir Pantiq, dhe ish-polici Zharko Zariq akuzohen si bashkëkryes për veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”.
Aktakuza i ngarkon ata, ndër të tjera, me përgjegjësi për dhunë ndaj të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës, pas bombardimeve të NATO-s në maj të vitit 1999, si dhe për rrëmbimin dhe keqtrajtimin seksual të një civili shqiptar. Gjithashtu, ata akuzohen për vrasjen e anëtarëve të disa familjeve në territorin e komunës së Istogut.

Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Gjykata cakton paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte
Qelaj: Gjykata Speciale ka shkelur të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Banka Botërore ndan 6.8 milionë dollarë shtesë për shëndetësinë në Kosovë
Dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha
Hapet konkursi për specializime në shëndetësi, në dispozicion 313 vende
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000