Mitrovicë, 2 shtator 2026 08:09
Prani e shtuar e Policisë së Kosovës, bashkëpunim më i madh me qytetarët dhe zbulimi i armëve e municioneve në lokacione të ndryshme. Situata e sigurisë në veriun e Kosovës është përmirësuar, por kërkohet vigjilencë dhe bashkëpunim i vazhdueshëm. Ky është konstatim i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe aktivistëve të shoqërisë civile në Mitrovicë.
Situata e sigurisë në veri të Kosovës aktualisht është e qetë, por mbetet delikate dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme të institucioneve të sigurisë, vlerëson Erduan Buliqi, shef i Departamentit të Planifikimit Operacional në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, sipas të cilit zhvillimet e viteve të kaluara bëjnë që rreziqet të mos mund të përjashtohen.
“Situata në veri të vendit është e qetë, vazhdon të jetë e qetë, por çdoherë themi se është delikate për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në vitet e kaluara”, është shprehur Buliqi, për Veritasinfo.
Sipas tij, krahasuar me periudhat e kaluara, vërehet një përmirësim i dukshëm i situatës, ndërsa Policia e Kosovës vazhdon të jetë e pranishme në të gjithë territorin e veriut dhe e gatshme të përballet me çdo rrezik të mundshëm. Megjithatë, ai thekson se rreziqet serioze janë të paparashikueshme dhe pikërisht për këtë arsye kërkohet gatishmëri e vazhdueshme.
Një prej shqetësimeve që vazhdon të jetë në fokus të institucioneve të sigurisë është prania dhe zbulimi i armëve e municioneve në lokacione të ndryshme.
Buliqi tregon se Policia e Kosovës ka zhvilluar vazhdimisht aksione dhe veprime hetimore në veri, ndërsa në bazë të informacioneve të pranuara janë zbuluar lloje të ndryshme të armatimit dhe municionit.
Sipas tij, një dukuri që është vërejtur kohëve të fundit është gjetja e armatimit kryesisht në shtëpi të pabanuara. Kjo, siç shpjegon ai, ngre dyshimin se një pjesë e qytetarëve mund të jenë duke e larguar armatimin nga vendbanimet e tyre dhe duke e fshehur në lokacione të tjera.
“Po ashtu kemi raste kur gjejmë armatim nëpër shtëpi të banuara, por kemi edhe raste kur vullnetarisht qytetarët i dorëzojnë ato”, ka deklaruar Buliqi.
Në këtë proces, bashkëpunimi me qytetarët shihet si një prej faktorëve kryesorë për parandalimin dhe identifikimin e aktiviteteve të rrezikshme.
Buliqi thotë se Policia vazhdon të pranojë informacione nga qytetarët për dukuri negative që kanë ndodhur apo mund të ndodhin në lokacione të ndryshme të veriut. Sipas tij, bashkëpunimi mes qytetarëve dhe policisë është përmirësuar dhe informacionet e pranuara kanë ndihmuar në identifikimin e rasteve dhe gjetjen e armatimit.
Të njëjtën rëndësi bashkëpunimit qytetar ia jep edhe aktivisti i shoqërisë civile në Mitrovicë, Kenan Beqiri. Ai e sheh sigurinë në një kontekst më të gjerë, duke e lidhur atë me zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe sfidat e reja të sigurisë në Evropë.
Në një prononcim për Veritasinfo, Beqiri thotë se zhvillimet e viteve të fundit, përfshirë agresionin rus ndaj Ukrainës, kanë dëshmuar se asnjë shtet nuk është plotësisht i imunizuar ndaj kërcënimeve të sigurisë. Për këtë arsye, sipas tij, edhe Kosova duhet të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj të sigurisë dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë kuadër, Beqiri vlerëson se Mitrovica ka një rëndësi të veçantë për shkak të historikut të saj dhe incidenteve serioze të së kaluarës. Ai përmend sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një zyrtar policor dhe u plagosën të tjerë, si dhe shpërthimin në kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Zubin Potok, si raste që kanë treguar potencialin për cenimin e sigurisë publike dhe infrastrukturës kritike.
Megjithatë, sipas tij, masat e ndërmarra ndër vite kanë sjellë ndryshime të dukshme në aspektin e sigurisë në Mitrovicë.
Beqiri thotë se ky përmirësim nuk vërehet vetëm nga banorët e qytetit, por edhe nga qytetarët që vijnë nga pjesë të tjera të Kosovës. Sipas tij, prania e institucioneve përgjegjëse dhe masat e sigurisë kanë ndikuar në krijimin e një ndjenje më të madhe sigurie në jetën e përditshme.
Por ai paralajmëron se siguria absolute nuk mund të garantohet askund. Kërcënimet moderne, sipas tij, ndryshojnë vazhdimisht dhe kërkojnë vigjilencë, parandalim dhe reagim të vazhdueshëm.
Një prej elementeve që të dy vlerësuesit e konsiderojnë vendimtar është bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës.
“Rezultatet e këtij bashkëpunimi janë të dukshme edhe në identifikimin e lokacioneve ku janë zbuluar armë dhe mjete të tjera të rrezikshme të fshehura. Një punë e tillë nuk mund të realizohet në mënyrë efektive pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve. Qytetari është shpesh një nga burimet më të rëndësishme të informacionit për institucionet e sigurisë, ndërsa institucionet kanë për detyrë ta trajtojnë këtë informacion me profesionalizëm, konfidencialitet dhe përgjegjësi.
Beqiri e cilëson këtë bashkëpunim si një prej elementeve më të rëndësishme të një sistemi funksional të sigurisë. Sipas tij, qytetarët mund të jenë burim i rëndësishëm informacioni për institucionet, veçanërisht në identifikimin e lokacioneve ku mund të jenë fshehur armë apo mjete të tjera të rrezikshme.
Ai vlerëson se bashkëpunimi duhet të shoqërohet me profesionalizëm, konfidencialitet dhe përgjegjësi nga institucionet e sigurisë, në mënyrë që qytetarët të kenë besim për të raportuar rastet e dyshimta.
Përveç bashkëpunimit me qytetarët, Beqiri e sheh si të domosdoshëm edhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë. Trajnimet e përbashkëta, shkëmbimi i përvojave dhe ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve profesionale, sipas tij, janë të rëndësishme për përballimin e sfidave të reja.
Në fund, mesazhi i përbashkët që del nga këto vlerësime është se qetësia aktuale në veri nuk duhet të nënkuptojë neglizhencë. Përkundrazi, përmirësimi i situatës duhet të shoqërohet me vigjilencë, punë të vazhdueshme institucionale dhe bashkëpunim me qytetarët.
Për Beqirin, ky bashkëpunim është një “dritare mundësish” për identifikimin e hershëm të rreziqeve, parandalimin e aktiviteteve ilegale dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Në një mjedis ku e kaluara ka dëshmuar se situatat mund të përshkallëzohen shpejt, institucionet e sigurisë dhe qytetarët mbeten dy hallka të rëndësishme në ruajtjen e stabilitetit.
Qëllimi, sipas Beqirit, duhet të jetë krijimi i një shoqërie ku siguria dhe sundimi i ligjit janë më të forta se frika, dhuna dhe destabilizimi, ndërsa çdo qytetar, pa dallim përkatësie, të ndihet i sigurt dhe i barabartë para ligjit.

Gazetari Ermal Panduri denoncon në Polici dyshimet për përndjekje, thotë se mund të ketë lidhje me BIA-n
Gjeneralët e rinj të FSK-së marrin detyrat e reja, Haxhiu nënshkruan dekretet
Ministria e Mbrojtjes investon në sigurimin e pjesëtarëve të FSK-së
Jo vetëm zbulime, por edhe dorëzim vullnetar i armëve nga serbët në veri të Kosovës
Ministria e Mbrojtjes thirrje të rinjve: Bëhuni oficerë të Ushtrisë së Kosovës
Pesë kadetë kosovarë diplomojnë në Akademinë Ushtarake të Turqisë
Vuçiq kandidat për kryeministër, protesta në Nish kundër regjimit të tij
Ischinger: Kos me të drejtë anuloi vizitën në Beograd, çfarë akti i neveritshëm të nderosh një vrasës masiv
20 punëtorë të vdekur në punë më 2026, Azemi: Përgjegjësia kryesore mbi pronarët e kompanive