Prishtinë, 30 gusht 2026 10:25
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve te Memoriali i Personave të Zhdukur me Dhunë, tha se familjet e mbi 1,500 personave të pagjetur vazhdojnë të jetojnë me ankth dhe pikëllim, pasi ende nuk kanë një varr të denjë për më të dashurit e tyre.
Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përfaqësues të institucioneve dhe shoqatat e familjeve të personave të zhdukur, bëri homazhe dhe vendosi lule te memoriali në Prishtinë.
Ai tha se ky memorial u kujton institucioneve dhe qytetarëve se për familjet e të zhdukurve “lufta nuk ka përfunduar ende”.
“Janë mbi 1,500 të pagjetur, familjet e të cilëve jetojnë me ankth, me pikëllim, me mundime të cilat ne as i përshkruajmë, as i kuptojmë tamam dot, për shkak se nuk kanë një varr të dinjitetshëm për më të dashurit e tyre”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë theksoi se personat e zhdukur nuk duhet të trajtohen vetëm si shifra, duke vënë në pah kontributin që ata do të mund të kishin dhënë në shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës.
“Ky është një krim shumë i rëndë i cili duhet të zbardhet dhe për të cilin duhet të vihet në vend përgjegjësia”, deklaroi Kurti.
Ai foli edhe për gërmimet e fundit në veri të Kosovës, duke përmendur gjetjet në fshatrat Kalludër dhe Jabukë. Sipas tij, në Kalludër janë zbuluar dy varreza masive, njëra me 13 mbetje mortore dhe tjetra me gjashtë, ndërsa në Jabukë është zbuluar një varrezë tjetër masive me së paku katër mbetje mortore.
Kurti tha se këto gjetje dëshmojnë rëndësinë e vazhdimit të kërkimeve dhe zbardhjes së fatit të personave që ende figurojnë si të zhdukur.
Ai rikujtoi edhe deklaratën e 2 majit 2023, përmes së cilës, sipas tij, Serbia ishte zotuar për bashkëpunim në hapjen e arkivave për zbardhjen e së vërtetës.
“Një ndër dosjet më të rëndësishme që të deklasifikohet është ajo e brigadës së motorizuar ushtarake të Ushtrisë Jugosllave 37, e cila ka kryer shumë masakra në Kosovë e posaçërisht në Drenicë”, tha Kurti.
Ai kërkoi që përgjegjësia për krimet dhe zhdukjet me dhunë gjatë luftës të zbardhet, ndërsa familjeve t’u jepen përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

Haxhiu: Mbi 1.500 persona ende të zhdukur, Serbia t’i hapë arkivat
Kosova shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur
Pas 27 vitesh, Trepça rikthen në menaxhim pronën në Zveçan
Kurti: Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës
58 të vdekur në trafik për shtatë muaj, mbi 12 mijë aksidente
“Të paktën një vend ku mund të vendosim lule”
Kurti: Mbi 1,500 të pagjetur, lufta për familjet e tyre ende nuk ka përfunduar
Miliona euro për deponinë në veri të Kosovës, por mbeturinat vazhdojnë të hidhen në afërsi të rrjedhes së “Ibrit”
Përmbytjet katastrofike në Nepal, 734 të vdekur dhe rreth 2,500 të zhdukur