Tiranë, 14 tetor 2026 06:57
Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është përshkallëzuar të martën në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, ndërsa dhjetëra persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë shoqëruar në polici.
Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, 21 persona kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka bërë të ditur se në Spitalin Universitar të Traumës po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë. Të gjithë, sipas saj, janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të mediave dhe katër kalimtarë janë larguar nga spitali pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë trajtuar gjithashtu një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe gjashtë protestues, të cilët pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar nga spitali.
Protesta kishte nisur rreth orës 14:00 dhe për rreth një orë ishte zhvilluar pa incidente të mëdha. Situata u tensionua rreth orës 15:00, kur protestuesit nisën të përplasen me policinë.
Gjatë protestës janë raportuar dëmtime në rrethimin e jashtëm, portën e oborrit dhe disa xhama të godinës së Ministrisë së Arsimit. Në drejtim të godinës dhe forcave të policisë janë hedhur gurë, vezë, kapsolla, molotovë dhe pllaka trotuari.
Policia e Shtetit ka deklaruar se një grup protestuesish ka ndërmarrë veprime të dhunshme, duke dëmtuar objektin dhe duke goditur efektivët me sende të forta.
Sipas policisë, protestuesve u janë bërë disa thirrje për të ndërprerë veprimet dhe për t’u larguar nga oborri i institucionit. Pas kësaj, forcat e rendit kanë ndërhyrë duke përdorur spraj me piper, gaz lotsjellës dhe ujë me autobotë.
“Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Policia ka njoftuar gjithashtu se 23 persona janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa gjatë përleshjeve janë lënduar edhe pjesëtarë të policisë dhe përfaqësues të mediave.
Në lidhje me protestën ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, i cili ka dënuar sulmet ndaj efektivëve.
“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, ka deklaruar Demo.
Edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar aktet e dhunshme të raportuara gjatë protestës, duke thënë se “dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje”.
Nga opozita, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka bërë thirrje forcave të policisë që të mos përdorin dhunë ndaj studentëve.
“Të rinjtë dhe të rejat që protestojnë për një Shqipëri më të mirë meritojnë respekt, jo dhunë; përgjigje, jo represion; liri, jo frikësim!”, ka deklaruar Bardhi.
Ndërkohë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në veprimet e paligjshme gjatë protestës.

Të premten rivarrosen eshtrat e heroit të Kosovës, Idriz Rrecaj
41 milionë euro investim për modernizimin e sistemit shëndetësor
Më 17 nëntor vendimi për Thaçin në rastin e pengimit të drejtësisë
Vrasje, dëbime dhe spastrim etnik: Prokuroria ngrir aktakuzë për krime lufte në Zveçan
Kurti: Serbia fsheh krimet dhe mbron kriminelët, duhet trysni ndërkombëtare
Gjykimi për spiunazh, Prokuroria: Shabani tentoi ta lidhte spitalin e UÇK-së në Mollopolc me “Shtëpinë e Verdhë”
Serbia nën kritika për financimin e Kosovës dhe pengimin e projekteve shqiptare në Luginë
Protesta në Tiranë përshkallëzohet në përplasje me policinë, 21 persona marrin ndihmë mjekësore
Operacion i Policisë në Fushë Kosovë pas kërcënimit me mjete shpërthyese
Kosova propozon marrëveshje me SHBA-në për të ardhmen e Bondsteelit