Prishtinë, 30 gusht 2026 13:21
Në 19-vjetorin e rënies në krye të detyrës, në vendin ku u vra është zbuluar lapidari përkujtimor në nderim të Heroit të Kosovës, Triumf Riza.
Në ceremoninë përkujtimore, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Riza u dallua për aftësitë e tij profesionale që nga dita kur nisi Akademinë Policore në Vushtrri e deri në ditën kur ra në krye të detyrës.
Sipas Kurtit, Triumf Riza ishte shembull i një zyrtari policor të përkushtuar, i cili nuk u tërhoq përballë grupeve kriminale dhe rrezikut që ato paraqisnin për shoqërinë.
Kurti tha se përkushtimi dhe profesionalizmi i Rizës do të mbeten pjesë e kujtesës institucionale dhe historisë së Kosovës.
“Emri i Triumf Rizës do të jetë pjesë e historisë së Kosovës”, tha Kurti.
Ai theksoi se Riza e shihte uniformën policore si përgjegjësi për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të mbrojtur rendin dhe ligjshmërinë, ndërsa vlerësoi se misioni i tij vazhdoi përmes gjeneratave të Policisë së Kosovës.
Kurti kërkoi gjithashtu që drejtësia për vrasjen e Rizës të jetë e plotë dhe përgjegjësia të shkojë te të gjithë personat që kanë pasur rol në këtë rast.
“Sot, në 19-vjetorin e vrasjes së zyrtarit policor Triumf Riza, përkulemi me respekt para jetës dhe sakrificës së tij. Emri i tij mbetet pjesë e historisë së Policisë së Kosovës, ndërsa kujtimi për të vazhdon të jetojë tek kolegët, miqtë dhe familja e tij, por edhe tek secili zyrtar i shtetit tonë”, shtoi Kurti.
Ai tha se përkushtimi dhe guximi me të cilin Triumf Riza shërbeu duhet të mbeten frymëzim për gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës.
“Përkushtimi dhe guximi me të cilin ai shërbeu le të mbeten frymëzim për gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës, për kujtesë të përhershme të sakrificës së atyre që dhanë më të shtrenjtën në shërbim të vendit dhe të qytetarëve”, tha Kurti.
Lapidari u zbulua në vendin ku Triumf Riza humbi jetën në krye të detyrës, si simbol i kujtimit dhe nderimit për shërbimin e tij në Policinë e Kosovës.
“I përhershëm qoftë kujtimi për Triumf Rizën! Lavdi të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ranë në krye të detyrës!”, përfundoi Kurti.

Kurti: Mbi 1,500 të pagjetur, lufta për familjet e tyre ende nuk ka përfunduar
Haxhiu: Mbi 1.500 persona ende të zhdukur, Serbia t’i hapë arkivat
Kosova shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur
Pas 27 vitesh, Trepça rikthen në menaxhim pronën në Zveçan
Kurti: Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës
58 të vdekur në trafik për shtatë muaj, mbi 12 mijë aksidente
Kurti për Triumf Rizën: Emri i tij, pjesë e historisë së Policisë së Kosovës
Miliona euro për deponinë në veri të Kosovës, por mbeturinat vazhdojnë të hidhen në afërsi të rrjedhes së “Ibrit”