Prishtinë, 11 gusht 2026 07:41
KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme nga Ura Kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një zhvillim që ekspertët e sigurisë e vlerësojnë si dëshmi të përmirësimit të situatës së sigurisë dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve të Kosovës.
Pas 27 vitesh prani në këtë pikë strategjike të Mitrovicës, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka nisur procesin e riorganizimit të pranisë së tij në Urën e Ibrit.
Sipas KFOR-it, vendimi është marrë në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të misionit.
“Tranzicioni gradual” nënkupton ndryshimin e mënyrës së pranisë së KFOR-it në këtë lokacion, ndërsa misioni ka theksuar se personeli i tij mbetet i pozicionuar në mënyrë që të mund t’i përgjigjet çdo zhvillimi relevant.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur institucionet e Kosovës po marrin përgjegjësi më të mëdha në garantimin e sigurisë, përfshirë edhe në zona që për vite kanë qenë nën prani të shtuar ndërkombëtare.
Profesori universitar Dorajet Imeri e ka cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme dhe si dëshmi të besimit që NATO-ja, përmes KFOR-it, ka ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka dëshmuar se është në gjendje të garantojë siguri për qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, ndërsa institucionet vendore duhet të vazhdojnë me një qasje profesionale dhe gjithëpërfshirëse.
Në të njëjtën linjë, eksperti i sigurisë Mentor Vrajolli e ka vlerësuar pozitivisht vendimin, duke thënë se Kosova është më e sigurt se më parë dhe se progresi i arritur, veçanërisht në veri të vendit, mund të ketë ndikuar në vendimin e KFOR-it për të riorganizuar praninë e tij.
Paralelisht me këtë zhvillim, është bërë e ditur edhe nisja e integrimit gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.
KFOR-i ka bërë të ditur gjithashtu se për procesin e tranzicionit nga Ura e Ibrit është informuar rregullisht edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq.
Kalimi gradual i përgjegjësive nga prania ndërkombëtare te institucionet e Kosovës shihet si një tjetër hap në konsolidimin e kapaciteteve vendore të sigurisë dhe në normalizimin e situatës në pjesën veriore të vendit.
Për institucionet e Kosovës, ky zhvillim nënkupton edhe përgjegjësi më të madhe për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa për KFOR-in mbetet mundësia e reagimit në rast të ndonjë përkeqësimi të situatës.

Policia e Kosovës synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes gradimeve të reja
Ekspertët kërkojnë përshpejtimin e gradimeve në Polici
Kurti: 20 baza policore janë ndërtuar e fuqizuar në veri të Kosovës
397 kadetë diplomojnë në Policinë e Kosovës, Kurti e Haxhiu me mesazhe për gjeneratën e re
Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në operacionet e kërkim-shpëtimit
Sveçla: Kosova mbetet partner serioz i Europol-it
Bizneset kosovare po zgjerojnë praninë e tyre në veri
Lista Studentore rrëzoi Vuçiqin, por jo retorikën nacionaliste ndaj Kosovës
Ramadani premton transparencë në hetimin për vrasjen e Arlinda Zekajt