Mitrovicë, 5 gusht 2026 12:11
Pesë zyrtarë të Listës Serbe janë thirrur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicën e Veriut në cilësinë e të pandehurve, nën dyshimin për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Sipas ftesave të Prokurorisë, Igor Simiq, Ivan Zaporozhac, Ivan Todosijeviq, Zoran Todiq dhe Vasilije Tomaševiq duhet të paraqiten më 13 gusht për të dhënë deklaratat e tyre në kuadër të procedurës penale që po zhvillohet ndaj tyre.
Hetimi lidhet me zhvillimet që pasuan nëntorin e vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë, të udhëhequr nga Lista Serbe, u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës. Në atë kohë, dorëheqje dhanë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë komunalë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues në Qeveri. Largimi u arsyetua nga Lista Serbe si protestë ndaj vendimeve për targat ilegale serbe.
Në periudhën që pasoi, institucionet e Kosovës intensifikuan veprimet për shtrirjen e autoritetit shtetëror në katër komunat veriore.
Institucionet e Republikës së Kosovës morën nën administrim ose mbyllën një sërë institucionesh që funksiononin sipas sistemit të Serbisë, përfshirë organet e përkohshme komunale, shërbimet administrative, qendrat për punë sociale, degët e Postës së Serbisë, Fondit Pensional dhe institucione të tjera që vepronin jashtë kornizës ligjore të Kosovës.
Pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Lista Serbe u rikthye në institucionet e vetëqeverisjes lokale të Kosovës, duke fituar drejtimin e katër komunave me shumicë serbe në veri.
Megjithatë, shumica e institucioneve që më parë funksiononin në kuadër të sistemit të Serbisë nuk e kanë rifilluar punën në territorin e Kosovës, por aktivitetin e tyre e zhvillojnë përtej kufirit administrativ me Serbinë.
Rasti ndaj pesë zyrtarëve të Listës Serbe nuk është i vetmi që lidhet me funksionimin e strukturave paralele. Gjatë viteve të fundit, Prokuroria dhe institucionet e tjera të drejtësisë kanë hapur disa hetime dhe procedura penale ndaj ish-zyrtarëve dhe personave të dyshuar për veprimtari në kuadër të institucioneve që kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.
Deri më tani, Prokuroria Themelore në Mitrovicën e Veriut nuk ka bërë publike detaje shtesë për rastin dhe as dokumentet konkrete që dyshohet se janë falsifikuar, ndërsa pesë zyrtarët janë ftuar të paraqiten në cilësinë e të pandehurve për t’u deklaruar lidhur me dyshimet që rëndojnë mbi ta.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës zhvillojnë aksion në disa lokacione
Sekuestrohen armë zjarri në Zubin Potok, arrestohen dy persona
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
Raportohet për një bombë në Shkollën Fillore “Stana Baqanin” në Leshak, rasti nën hetim
BQK-ja dorëzon aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në SEPA, synohen pagesa më të lira dhe më të shpejta
Kurti: 20 baza policore janë ndërtuar e fuqizuar në veri të Kosovës
Të paktën 20 të vrarë dhe 15 të plagosur nga sulmet në një treg në Jemen
397 kadetë diplomojnë në Policinë e Kosovës, Kurti e Haxhiu me mesazhe për gjeneratën e re