Beograd, 30 korrik 2025
Sondazhet e fundit të opinionit publik, të paktën ato që janë të qasshme për publikun, tregojnë për një rënie drastike të rejtingut të Partisë Progresive Serbe dhe vetë Aleksandar Vuçiqit. Sipas të dhënave, nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, Lista e Studentëve do ta mundte koalicionin e Vuçiqit me mbi dhjetë përqind diferencë.
Pavarësisht se Vuçiq tallet publikisht me këto sondazhe, analistët thonë se ai i pranon në mënyrë të tërthortë, duke shmangur shpalljen e zgjedhjeve. Në një skenar ku në garë janë vetëm Lista e Studentëve dhe koalicioni i Vuçiqit (SNS, SPS, Zavetnici), lista opozitare do të merrte 54,8%, ndërsa ai vetëm 42,1%.
Në variantin e dytë, ku përfshihet edhe e gjithë opozita tjetër, Lista e Studentëve do të fitonte 45,9%, opozita qytetare dhe e djathta 10,2%, ndërsa Vuçiqi dhe aleatët e tij vetëm 41,4%. Të dhënat i përkasin kompanisë “Sprint Insight”.
Edhe sondazhe të tjera, si ai i Nova Srpska Politička Misao, konfirmojnë epërsinë e Listës së Studentëve, e cila tashmë shihet si forcë e re politike me mbështetje masive popullore. Protestat studentore, të mëdha dhe paqësore, kanë ndikuar ndjeshëm në përceptimin publik.
Pyetja që shtrohet tani është nëse Vuçiq do të arrijë ndonjëherë të rikthejë mbështetjen që kishte dhe nëse do të mund ta ndalë rënien e rejtingut deri në dhjetorin e ardhshëm, datë që ai vetë e ka përmendur për zgjedhjet.
Në një deklaratë të fundit, Vuçiq parashikoi se zgjedhjet do të sjellin një surprizë të pakëndshme për opozitën, duke folur për “miliarda të investuara për shkatërrimin e Serbisë” dhe duke i cilësuar kundërshtarët si pjesë e një organizate anti-shtetërore.
Ndërkohë, analistët vlerësojnë se pushteti nuk ka më zgjidhje për krizën politike. Sipas profesor Nebojsha Vladisavljeviq, protestat qytetare të udhëhequra nga studentët janë pa precedent në Evropë dhe tregojnë vullnet të qartë për rikthimin e demokracisë.
Ai shton se mbështetja që pushteti ka pasur është ndërtuar përmes kontrollit të mediave, glorifikimit të liderit dhe marginalizimit të kritikëve. Protestat masive i kanë hapur sytë edhe qytetarëve që nuk ndjekin mediat e pavarura.
Vladisavljeviq thekson se fokusi i vetëm për ndryshim mbetet përmes zgjedhjeve dhe se rruga është e gjatë, por drejtimi është i qartë – ndërtimi i një sistemi demokratik, përmes presionit paqësor dhe institucional.
Ndërkohë, sociologu Ivan Zhivkov e ndan elektoratin e Vuçiqit në tre grupe: mbështetësit e sinqertë, përfituesit nga pushteti (biznesmenë, të korruptuar e të shantazhuar) dhe “votuesit fantazmë” të krijuar përmes manipulimeve.
Sipas tij, pa abuzim të resurseve shtetërore dhe pa manipulime, Vuçiq nuk do të kishte asnjë shans për fitore. Kontigjenti i parë i mbështetësve është tkurrur, i dyti mbahet me interesa, ndërsa i treti është rritur përmes manipulimeve në listat zgjedhore.
Zhivkov thekson se “ushtria partiake” që bën punët e pista po zvogëlohet, ndërsa ata që e bëjnë për interes kërkojnë çmime më të larta. Kjo e bën sistemin më të paqëndrueshëm dhe më të prirur për shpërbërje të shpejtë.
Nëse mbahen zgjedhje presidenciale, ai beson se do të ishte përsëritje e vitit 2000, me një humbje të rëndë për regjimin. Por në rast se mbahen vetëm zgjedhje parlamentare, Vuçiq ka ende mundësi të ruajë kontrollin, falë strukturës presidenciale që e favorizon gjatë formimit të qeverisë.

Seancë e jashtëzakonshme për presidentin në ora 20:30, propozohen Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha
Konjufca e Mulhaxha-Kollçaku tërheqin kandidaturat për president
Kurti: Sot opozita ka mundur ta kishte presidentin e vet
Seanca për zgjedhjen e presidentit sot në ora 17:00
Vlahoviq: Jashtë Kosovës dihet shumë pak për trajtimin e shqiptarëve nga Serbia ndër vite
Vlahoviq: Pranimi i mbi 100 mijë refugjatëve nga Kosova, kthesa që e distancoi Malin e Zi nga politika e Millosheviqit
Iranianët i paraqesin SHBA-së një propozim të ri