Prishtinë 27 korrik 2026 08:07
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të akuzuar për përfshirje në sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili ndodhi në nëntor të vitit 2023.
Dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta, njësoj si në seancën fillestare.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, provat e mbledhura gjatë hetimeve dëshmojnë përfshirjen e të akuzuarve në veprat penale për të cilat ngarkohen.
Prokuroria ka deklaruar se hetimet kanë nxjerrë në pah edhe rolin e Qeverisë së Serbisë në përgatitjet e sulmit.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë sekuestruar armë, municion, pajisje ushtarake, mjete komunikimi dhe prova të tjera materiale. Gjithashtu, sipas saj, analizat forenzike, përfshirë ekzaminimet e ADN-së dhe ekspertizat e tjera, i lidhin të akuzuarit me vendin e ngjarjes.
Në anën tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke kërkuar nga gjykata një shqyrtim objektiv të çështjes dhe duke argumentuar se aktakuza nuk përshkruan qartë veprimet konkrete të klientëve të tyre.
Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, së bashku me Igor Dimoviqin, akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues, kryerje të veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, Jovan Viqentijeviq përballet edhe me akuzën për spiunazh.
Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i kryer në fshatin Varagë të Zubin-Potokut në nëntor 2023, shkaktoi dëme në një nga infrastrukturat më të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë. Seanca e sotme pritet të vazhdojë me paraqitjen e provave dhe shqyrtimin e argumenteve të palëve.

Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante