Prishtinë, 25 korrik 2026 21:52
Rritja e numrit të aksidenteve me pasoja fatale në Kosovë ka rikthyer në fokus nevojën për forcimin e sigurisë rrugore. Ekspertët kërkojnë strategji të reja parandaluese dhe respektim më të madh të rregullave të komunikacionit, ndërsa institucionet thonë se po punojnë për përmirësimin e infrastrukturës dhe politikave të sigurisë.Aksidentet në Kosovë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish, ku numri i aksidenteve fatale ka shënuar rritje.
Rastet e aksidenteve, sipas ekspertëve të sigurisë, përbëjnë shqetësim serioz, prandaj bëjnë thirrje për ndërmarrjen e masave urgjente dhe hartimin e strategjive për më shumë siguri në rrugë.
“Ajo që është urgjente për institucionet tona është krijimi i strategjisë së sigurisë rrugore. Në kuadër të krijimit të kësaj strategjie merren pastaj edhe masat për hulumtimin e aksidenteve dhe faktorëve që ndikojnë në aksidente, si dhe krijimi i masave preventive”, theksoi Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit.
Ndër faktorët e aksidenteve, ekspertët përmendin edhe faktorin njeri.“Jo vetëm ulja e shpejtësisë, por edhe kujdesi gjatë vozitjes. Të mos pengohet mjeti tjetër gjatë lëvizjes. Kuptohet që duhet të respektohen shenjat në komunikacion, të mos përdoret telefoni, por mbi të gjitha të kemi kujdes gjatë vozitjes”, tha Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit.
Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit thonë se fokusi i tyre është mirëmbajtja sistematike e rrjetit ekzistues, përmirësimi i standardeve teknike dhe eliminimi i çdo elementi që mund të paraqesë rrezik për përdoruesit e rrugës.
RTK ka tentuar të marrë qëndrime edhe nga ish-ministrat e Infrastrukturës për politikat e parandalimit të rasteve, por disa nuk pranuan të flasin, ndërsa të tjerët nuk ishin të qasshëm. Në këtë përpjekje nuk janë përfshirë ministrat e akuzuar për keqpërdorim të detyrës.
Ndërkohë, për parandalimin e aksidenteve, Policia thekson se në vazhdimësi analizon të dhënat rreth sigurisë në trafik, harton plane operative, bën fushata ndërgjegjësuese dhe, si masë parandaluese e ndëshkuese, gjobit shkelësit e rregullave të trafikut.
Sipas Policisë, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë evidentuar 45 aksidente fatale me 46 persona të vdekur. Ndërkaq, u shënuan mbi 10 mijë të tjera.
Megjithëse, sipas Policisë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i aksidenteve ka shënuar rënie prej 4.77%, teksa numri i gjobave është rritur për 5.82%.

Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon
Sekuestrohen armë zjarri në Zubin Potok, arrestohen dy persona
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari