Prishtinë, 23 korrik 2026 22:07
Javën e parë të muajit gusht pritet të mblidhet legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se data zyrtare e seancës konstituive do të shpallet këtë të premte.
Në këtë kontekst, Haxhi ka nënvizuar se nuk është nxituar me caktim të datës, për t’u lënë hapësirë partive politike që të vazhdojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje, veçanërisht rreth zgjedhjes së presidentit të vendit. Ndërkohë, takimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti me opozitën, i ka quajtur pozitive, ndonëse bisedimet me LDK-në aktualisht janë pezulluar për shkak të zhvillimeve të brendshme në këtë parti.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, sheh të nevojshme takime të vazhdueshme mes ushtrueses së detyrës së presidentes dhe partive politike, si dhe diskutime për krijimin e një koalicioni qeverisës, duke shtuar se partitë politike duhet shtuar angazhimet për të anashkaluar krizat politike.
“Duke njohur këtë klasë politike si të papërgjegjshme fatkeqësisht, shumë të papërgjegjshme madje, dhe kontraverse pse jo, sot thonë diçka, nesër diçka tjetër, e bëjnë edhe të tretën, pra nuk jam shumë optimist, por rrethanat janë të tilla që këta nuk do të duhej të shkonin në zgjedhje edhe një herë sepse do të jetë fatale në kuptimin politik për të gjitha subjektet politike, për kënd më shumë e kënd më pak”, ka thënë për RTK, Mazllum Baraliu, profesor universitar.
Edhe njohës të fushës së politikës, kërkojnë më shumë përgjegjësi nga të gjithë aktorët politikë, duke shtuar se Kosova nuk ka më hapësirë për zvarritje, pasi çdo ditë pa institucione funksionale ndikon negativisht në proceset reformuese dhe në aspiratat euroatlantike të vendit.
“Siç duket thellimi i krizës së brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka me vështirësuar edhe më shumë procesin për të shkuar tutje, sepse ne e dimë që çdo ujdi pastaj që del nga ky subjekt politik do të penalizohej ndoshta me mungesën e disa votave, e kur e dimë sa e rëndësishme është secila votë. Me PDK-në edhe realisht edhe në të kaluarën edhe tani kemi pasur një hezitim të bashkëpunimit ndoshta për faktin që janë dy subjektet më të mëdha në vend, me një diferencë të madhe, por megjithatë janë dy subjekte politike në vend, mund të kemi një bashkëpunim që do të krijonte zgjidhje për shumë çështje dhe shumë problematika”, ka thënë Fatime Hajdari, analiste politike.
Me seancën konstituive që pritet të mbahet në javën e parë të gushtit, vëmendja mbetet te negociatat mes partive politike. Mbetet të shihet nëse ditët në vijim do të sjellin kompromisin e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj