Prishtinë, 22 korrik 2026 16:17
Ministria e Financave siguron grant prej 5 milionë eurosh për modernizimin e rrjetit të transmisionit të energjisë
Ministria e Financave ka nënshkruar një marrëveshje granti në vlerë prej 5 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), për financim shtesë të projektit “Zhvillimi i sektorit të energjisë – Faza VII: Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.
Sipas Ministrisë, fondet do të shërbejnë për realizimin e një sërë investimesh që synojnë zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.
Projekti zbatohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ka për qëllim forcimin e rrjetit të transmisionit, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe avancimin e integrimit të tregut energjetik.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi angazhimin e KOSTT-it në zbatimin e projektit, duke theksuar se financimi shtesë i siguruar nga Qeveria Gjermane përmes KfW-së do të mundësojë realizimin e investimeve prioritare dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik në vend.
Ndërkaq, drejtori i KfW-së për Kosovë, Moritz Remé, riafirmoi gatishmërinë e institucionit që përfaqëson për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në modernizimin e sektorit të energjisë.
Edhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, deklaroi se projektet po zhvillohen sipas planifikimit, ndërsa financimi i ri do të krijojë mundësi për modernizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmisionit dhe rritjen e kapaciteteve të tij për t’iu përgjigjur nevojave të ardhshme të sistemit elektroenergjetik.
Ministria e Financave theksoi se mbetet e përkushtuar në sigurimin e financimeve për projekte strategjike që forcojnë sigurinë energjetike, zhvillojnë infrastrukturën kritike dhe mbështesin avancimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në Kosovë.

Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Demokratët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, goditje politike për Trumpin