Prishtinë, 22 korrik 2026 17:22
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë së martës janë raportuar raste të dërgimit të një e-maili mashtrues në disa adresa elektronike, i cili paraqitet rrejshëm sikur është dërguar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, mesazhi përmban tekstin: “Me këtë rast, na duhet përgjigja juaj urgjente ndaj Urdhrit të Gjykatës së pretenduar të bashkangjitur kundër jush”, ndërsa në bashkëngjitje gjendet edhe një dokument tjetër, i cili po ashtu është i rremë.
Policia e Kosovës, nëpërmjet njoftimit, ka bërë të ditur se është duke e trajtuar rastin për të identifikuar burimin e këtij e-maili, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që ta injorojnë mesazhin dhe të mos e hapin, pasi bëhet fjalë për një përmbajtje mashtruese.
Policia rikujton se mesazhi nuk është zyrtar dhe këshillon qytetarët të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos hapin faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.
Policia u rekomandon qytetarëve që, në rast se pranojnë mesazhe të tilla, t’i fshijnë menjëherë, t’i raportojnë tek autoritetet përkatëse, të kontaktojnë bankën nëse kanë ndarë të dhëna personale ose bankare, si dhe ta raportojnë rastin përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin emergjent 192.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve online dhe të verifikojnë gjithmonë autenticitetin e mesazheve që pretendojnë se vijnë nga institucionet shtetërore.

Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë