Prishtinë, 22 korrik 2026 07:48
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar një paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për ditën e sotme, duke bërë të ditur se i gjithë territori i Kosovës pritet të përfshihet nga stuhi lokale me bubullima.
Sipas njoftimit të këtij instituti, gjatë gjithë ditës priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat në disa rajone do të shoqërohen me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.
Instituti paralajmëron se kushtet e motit mund të shkaktojnë rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët, si dhe dëmtime në rrjetin elektroenergjetik, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe pengesa në sistemet e telekomunikacionit.
Po ashtu, ekziston rreziku për përmbytje të shpejta lokale në zonat ku reshjet do të jenë më intensive, ndërsa breshëri dhe erërat e forta mund të shkaktojnë dëme në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore. Instituti ka paralajmëruar edhe për rritje të rrezikut të zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike.
Në kuadër të rekomandimeve, qytetarëve u kërkohet të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike apo objekteve metalike, si dhe të mbrojnë automjetet dhe pronën nga breshëri dhe erërat e forta.
Instituti u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme, ndërsa qytetarët të ndjekin njoftimet dhe udhëzimet e institucioneve kompetente deri në përfundimin e periudhës së paralajmërimit.
Sipas Instititit, paralajmërimi është në fuqi nga ora 00:00 deri në orën 23:59 të datës 22 korrik, ndërsa instituti ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe, sipas nevojës, do të publikojë përditësime të mëtejshme.

Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Ngrihet aktakuzë për keqpërdorim e mashtrim në prokurimin publik dhe falsifikim të dokumentit
Procedurat e Apelit që duhen ndjekur mbrojtjet e ish-krerët e UÇK-së
Protestuesit përleshen me policinë para objektit të Qeverisë
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës
Joseph: Serbia, Rusia dhe Kina do të përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën