Prishtinë, 22 korrik 2026 07:57
Sot mbushen gjashtëmbëdhjetë vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë publikoi opinionin e saj këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Me dhjetë vota pro dhe katër kundër, gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 22 korrik 2010 vendosën në favor të Kosovës, duke hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se shpallja e pavarësisë ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Vendimi u lexua nga presidenti i atëhershëm i Gjykatës, Hisashi Owada, i cili deklaroi se “miratimi i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.
Procesi në GJND kishte nisur pas kërkesës së Serbisë, e cila, përmes Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kërkoi një opinion këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Opinioni i Gjykatës u konsiderua një fitore e rëndësishme juridike dhe diplomatike për Kosovën, pasi konfirmoi se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë. Pas këtij vendimi, një numër shtetesh njohën Republikën e Kosovës.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Deri më tani, Republika e Kosovës është njohur nga 118 shtete, ndërsa vazhdon përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare.
Vendimi i 22 korrikut 2010 mbetet një nga momentet më të rëndësishme në historinë juridike dhe shtetformuese të Kosovës, duke shërbyer si referencë kryesore në mbrojtjen e legjitimitetit të pavarësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

Ujmani, fundi i një privilegji për zyrtarët e lartë të Listës Serbe dhe njerëzve të afërt me ta
Instituti Hidrometeorologjik jep alarm portokalli për stuhi në gjithë Kosovën sot
Mediat serbe dezinformojnë për rrënimin e vilave ilegale në Ujman, aksionin e paraqesin si të drejtuar kundër serbëve
Breshëri kursen disa rajone, por dëmet në zona të tjera rikthejnë kërkesat për fond të posaçëm për fermerët
Inspektorati ndalon punimet në 16 vendpunishte për shkelje ligjore që rrezikojnë punëtorët
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kërkon lirimin e objektit në Mitrovicën e Veriut
Marash Dukaj: Plevla duhet të merret me problemet e qytetarëve, jo me ideologji politike
16 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare pro pavarësisë së Kosovës