Prishtinë, 21 korrik 2026 15:37
Një person është arrestuar të hënën nën dyshimin se ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka falsifikuar dokumente zyrtare në lidhje me lëshimin e lejeve për importin e produkteve biocide dhe pesticide të ndaluara në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se arrestimi u krye në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas zhvillimit të veprimeve hetimore për rastin.
Sipas Prokurorisë, hetimet lidhen me dyshimet se janë lëshuar leje për disa operatorë ekonomikë për importimin e produkteve biocide dhe pesticide, të cilat ndalohen për përdorim në Republikën e Kosovës sipas listës së Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) të Bashkimit Evropian.
I dyshuari, me inicialet N.M., po hetohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore për luftimin e kriminalitetit ekonomik dhe korrupsionit.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës