Prishtinë, 20 korrik 2026 11:42
Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, përsëriti qëndrimin e Berlinit se ata që janë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë në shtator 2023 duhet të mbahen përgjegjës para gjyqësorit.
Duke folur për Milan Radoiçiq, të cilin institucionet e Republikës së Kosovës e konsiderojnë përgjegjës për organizimin e sulmit, Rudolph tha se Gjermania e dënoi ngjarjen me fjalët më të ashpra dhe se ende këmbëngul që ata që janë përgjegjës të nxirren para drejtësisë.
“Ne e dënuam sulmin me fjalët më të ashpra dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë. Thamë se ata që janë përgjegjës duhet të nxirren para drejtësisë. E di që Kosova ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar që është ende në fuqi. Kjo duhet të ndodhë”, tha ambasadori.
Kur u pyet nëse Milan Radoiçiq do të ekstradohej në Kosovë nëse do të hynte në territorin gjerman, ambasadori Reiner Rudolph u përgjigj se së pari do të arrestohej.
“Ai, sigurisht, do të arrestohej”, tha Rudolph.
Serbia nuk ka ngritur akuza kundër Radoiçiqit
Edhe pse ai mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku u vra polici Afrimn Bunjaku, si dhe tre sulmues serbë, Radoiçiq është në arrati në Serbi, me një vendbanim të regjistruar në Beograd. Serbia nuk ka ngritur asnjë akuzë kundër tij.
Megjithatë, Interpoli lëshoi një urdhër ndërkombëtar për të, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Sulmi në Banjskë ishte terrorist dhe Serbia, sipas institucioneve tona, është fajtore për atë sulm, ndërsa Beogradi mohon përfshirjen.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti një aktakuzë për sulmin në Banjskë, dhe midis 45 të akuzuarve është Radoiçiq, i cili përshkruhet si “udhëheqësi i një grupi terrorist”.
Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre persona këtë vit: dy me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burg.
Të akuzuarit e tjerë janë në arrati dhe Kosova ka lëshuar urdhër-arreste për ta përmes Interpolit. Kosova ka kërkuar vazhdimisht që Serbia të ekstradojë Radoiçiqin në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë. Në kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, parti kjo që i nënshtrohet urdhërave të Beogradit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i bëjnë thirrje Beogradit që të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë