Prishtinë, 17 korrik 2026 11:43
Jovana Radosavljeviq, dikur e angazhuar në shoqërinë civile në veri të Kosovës dhe e njohur për punën në fushën e dialogut dhe integrimit ndëretnik, tashmë është vendosur në një pozitë drejtuese brenda një strukture të lidhur me sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, shkruan VeritasInfo.
Radosavljeviq, ish-drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës së Re Sociale, një organizatë që ka vepruar në veri të Mitrovicës, për vite ka qenë pjesë e projekteve të financuara për integrimin e komuniteteve, dialogun dhe ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike. Përmes këtij angazhimi, ajo ka menaxhuar edhe fonde të dedikuara për këto fusha.
Ajo ka realizuar projekte me tematika që lidhen me dialogun Beograd-Prishtinë dhe të drejtat e komuniteteve jo-shumicë. Si drejtoreshë e NSI-së, ajo është anëtare aktive e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Serbi brenda grupit të punës për Kapitullin 35.
Me origjinë nga Leposaviqi, në vitin 2024 ishte arrestuar në pikën e kontrollit të Bistricës, për fotografim të paligjshëm të postbllokut policor. Policia tha asokohe se ajo ka filmuar pa autorizim.
Por rruga e saj profesionale ka marrë një drejtim tjetër pas përfshirjes në politikë. Ajo u bë pjesë e Listës Serbe e më pas instrument i saj në përpjekje për të mbajtur gjallë strukturat paralele serbe, të cilat funksionojnë nën hije në territorin e Serbisë.
Përveç mandatit si deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Radosavljeviq tashmë mban edhe një pozitë drejtuese në një strukturë të lidhur me administratën serbe në Kosovë.
Ajo është emëruar drejtoreshë e Fondit për Sigurime Shëndetësore për të ashtuquajturin “Qarku i Mitrovicës së Kosovës”, një organ që funksionon jashtë sistemit institucional të Republikës së Kosovës dhe që autoritetet kosovare e kanë cilësuar si strukturë paralele të mbështetur nga Serbia.
Këto lëvizje të Radosavljeviqit, nga shoqëria civile te politika, për më tepër në një parti që konsiderohet e afërt dhe e kontrolluar nga Beogradi, siç është Lista Serbe, dhe së fundi në krye të një organi që vepron jashtë juridiksionit të Republikës së Kosovës, e forcojnë bindjen se angazhimi i saj përfaqëson një kalim nga roli i aktivistes në atë të një figure të përfshirë drejtpërdrejt në strukturat politike dhe institucionale të Serbisë në Kosovë.
Rasti i Radosavljeviq paraqet edhe një përplasje mes dy roleve të saj publike: njëra anë si deputete e një partie të lidhur politikisht me Serbinë, ndërsa në anën tjetër si drejtuese e një institucioni që vepron në kuadër të sistemit paralel serb.
Në një kohë kur institucionet e Kosovës kanë mbyllur pothuajse çdo strukturë paralele, duke shtrirë sovranitetin në veri, emërimi i saj është një vazhdimësi e përpjekjeve të Beogradit për të ruajtur ndikimin institucional mbi komunitetin serb në Kosovë.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë