Prishtinë, 4 korrik 2026 17:52
Është vera e katërt që Prishtina shndërrohet në një pikë takimi për mijëra shqiptarë. Festivali “Sunny Hill” nuk është më vetëm një ngjarje muzikore, por një moment rikthimi për diasporën shqiptare që ndërthur nostalgjinë, identitetin dhe kulturën.
Përtej skenës muzikore, “Sunny Hill” po shihet gjithnjë e më shumë si një instrument i promovimit ndërkombëtar të Kosovës.
Për këtë arsye, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe analistja e politikave kulturore, Besa Luzha, folën për Telegrafin mbi ndikimin që festivali ka në diplomacinë kulturore, perceptimin ndërkombëtar të Kosovës dhe lidhjet me diasporën.
Sipas MPJD-së, edhe pse nuk është realizuar një studim empirik i posaçëm për ndikimin e festivalit, vlerësimet institucionale tregojnë se “Sunny Hill” ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e dukshmërisë së Kosovës si një vend me energji krijuese, potencial rinor dhe skenë artistike në zhvillim. Ministria vlerëson se festivali nuk promovon vetëm muzikën, por edhe Kosovën si një shoqëri dinamike, të hapur dhe të lidhur me zhvillimet bashkëkohore kulturore.
Sipas MPJD-së, festivali mund të shihet si një formë e diplomacisë së butë, pasi krijon ura komunikimi mes njerëzve, kulturave dhe komuniteteve të ndryshme përmes muzikës, artit dhe shkëmbimit kulturor. Ngjarje të tilla ndikojnë në mënyrën se si një vend perceptohet nga publiku ndërkombëtar, duke forcuar imazhin e Kosovës si një shtet evropian, kreativ dhe mikpritës.
Ministria thekson gjithashtu se festivali ka ndihmuar në zgjerimin e narrativës ndërkombëtare për Kosovën, duke e larguar fokusin nga historia politike dhe duke e prezantuar vendin si një destinacion me jetë kulturore aktive, rini kreative dhe potencial për turizëm kulturor. Përmes artistëve me famë ndërkombëtare, vizitorëve nga vende të ndryshme dhe jehonës në media e rrjete sociale, festivali ka kontribuar në krijimin e një imazhi më pozitiv për vendin.
Po ashtu, MPJD vlerëson se “Sunny Hill” ka krijuar hapësira për forcimin e lidhjeve kulturore ndërkombëtare përmes pjesëmarrjes së artistëve, profesionistëve të industrisë kreative, mediave dhe vizitorëve nga vende të ndryshme, duke hapur mundësi për bashkëpunime të reja.
Sipas ministrisë, potenciali i festivalit për promovimin e Kosovës jashtë vendit mund të zhvillohet edhe më tej, duke e ndërlidhur atë më shumë me promovimin e turizmit, industrive kreative, rinisë dhe diasporës.
Një vlerësim të ngjashëm jep edhe analistja e politikave kulturore Besa Luzha, e cila e konsideron “Sunny Hill” si një nga platformat më të rëndësishme të diplomacisë kulturore që ka krijuar Kosova në vitet e fundit.
Sipas saj, pjesëmarrja e artistëve me reputacion botëror dhe interesimi i mediave ndërkombëtare kanë ndihmuar që Prishtina dhe Kosova të pozicionohen në hartën e ngjarjeve të mëdha kulturore evropiane.
Luzha thekson se festivali ka ndikuar në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për Kosovën, duke e zhvendosur vëmendjen nga narrativat e konfliktit drejt një vendi që organizon aktivitete kulturore bashkëkohore dhe është pjesë aktive e skenës evropiane të festivaleve.
Megjithatë, ajo vlerëson se ndikimi afatgjatë do të varet nga vazhdimësia e organizimit, cilësia artistike dhe mbështetja me politika të tjera kulturore e turistike.
Ajo shton se “Sunny Hill” ka krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar përmes artistëve, producentëve, partnerëve kulturorë dhe sponsorëve nga vende të ndryshme, por për të pasur një ndikim më të qëndrueshëm këto lidhje duhet të shoqërohen me programe të vazhdueshme shkëmbimi artistik, rezidenca, koproduksione dhe projekte kulturore që vazhdojnë edhe pas përfundimit të festivalit.

582 vjet më parë Skënderbeu fitoi Betejën e Torviollit, u vranë 22 mijë ushtarë osmanë
“Dalja n’dritë” me minatorët që shkundën themelet e ish-Jugosllavisë
Kurti: Diversiteti kulturor, një nga pasuritë e mëdha të Kosovës
“Unë jam Majlinda Kelmendi”- libri që bëri bujë në panair
Artistja Hamiti përfaqëson Kosovën në Manifesta 16 në Gjermani
Ekspozita “Sy me sy” rrëfen plagët e luftës
Jarinjë: Dogana parandalon kontrabandimin e mbi 7 mijë produkteve farmaceutike
Sunny Hill, diplomaci kulturore dhe urë mes Kosovës e diasporës
BE-ja sërish kritikon Serbinë: Ende asnjë veprim ndaj përgjegjësve për sulmin në Banjskë
Strukturat e Beogradfit në Mal të Zi përmes institucioneve lokale, përpiqen t’a ç’njohin Kosovën