Prishtinë, 1 korrik 2026 8:50
Institucionet përgjegjëse kanë paralajmëruar mbikëqyrje për zbatimin e vendimit, ndërsa kanë pranuar se sektori i pastrimit dhe ai i sigurisë fizike mbeten me problematikët për zbatimin e këtij vendimi të Qeverisë. E në Sindikatën e punëtorëve të sektorit privat kanë thënë se janë skeptikë për zbatimin e këtij vendimi nga kompanitë që kanë marrëdhënie kontraktuale me institucionet shtetërore
Nga e mërkura, paga minimale në Kosovë do të rritet në 500 euro bruto.
Kjo është faza e dytë e zbatimit të vendimit të Qeverisë, pas rritjes në 425 euro më 1 janar të këtij viti.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur skeptik nëse paga minimale do të respektohet te kompanitë që kanë marrëdhënie kontraktuale me institucione shtetërore.
“Paga në sektorin privat, aty ku ka direkt pronarë të kompanive, nëse nuk ka dikë në mes, zbatohet. Por nuk po zbatohet as paga minimale që është 425 euro, vetëm tek ato kompani që kanë marrëdhënie kontraktuale me institucione shtetërore dhe komunale. Kemi shumë kompani të cilat nuk e kanë zbatuar pagën minimale”, ka thënë Azemi.
Edhe në Inspektoratin Qendror të Punës kanë pranuar që sektorët me rrezik për të mos zbatuar këtë vendim janë: ai i pastrimit dhe sigurisë fizike, por nëse kjo gjë ndodh kanë paralajmëruar masa.
“Bizneset të cilat nuk e respektojnë vendimin e pagës minimale, sipas procedurës inspektuese, kur konstatohet kjo gjendje, do të iniciohet procedurë kundërvajtëse. Sektorët që paraqesin rrezik më të lartë në zbatimin e vendimit janë sektori i pastrimit dhe ai i sigurisë fizike, ku edhe bazuar në risk janë realizuar inspektime”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Qendror të Punës.
E qytetarët kanë mendime të ndryshme për rritjen e pagës minimale.
“Nuk është e mjaftueshme për një punëtor. 500 euro çfarë shpenzimesh, çfarë jete e shtrenjtë. 500 euro me nejt gjithë ditën në ndërtesë, s’është e mjaftueshme”, ka thënë qytetari Sali Brahimi.
Edhe Atdhe Geci e ka quajtur të pamjaftueshme.
“Sipas rritjes së çmimeve pagat janë të ulëta, së paku për 200 euro. Besoj se 700 euro do të ishte e mjaftueshme”, ka thënë ai.
Sipas një raporti të GAP-it nga viti 2011 deri në vitin 2023, paga minimale bruto në Kosovë ishte e pandryshuar për një periudhë 12-vjeçare.
Gjatë kësaj kohe, për punëtorët nën moshën 35 vjeç paga minimale bruto ishte 130 euro, ndërsa për ata mbi 35 vjeç ishte 170 euro.
Sipas raportit, ky dallim i bazuar në moshë u eliminua në vitin 2023, kur paga minimale u unifikua në 264 euro bruto për të gjithë punëtorët.
Që nga viti 2023, paga minimale ka shënuar rritje të vazhdueshme.
Në vitin 2024, ajo u rrit në 350 euro bruto, për të vazhduar me rritje më 1 janar 2026 dhe tash më 1 korrik 2026 në 500 euro bruto.

Kurti: Kosova, përherë falënderuese për ndihmën e ShBA-së dhe aleancën e pazëvendësueshme.
Gjykimi për krime lufte: Ekrem Bajroviqi ishte në dijeni për rrahjet dhe torturat në Saradran
Mbështetja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare
Fermerët presin një vit të mbarë me rendimente të larta dhe grurë cilësor
Aktakuzë ndaj dy të pandehurve për veprën penale marrja e ryshfetit
Kosova forcon bashkëpunimin me EUROPOL-in dhe shtetet evropiane në luftën kundër korrupsionit
Nga sot paga minimale 500 euro bruto, paralajmërohet mbikëqyrje
Policia e Krimeve Ekonomike në aksion të gjerë