Prishtinë, 13 nëntor 2026 17:53
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet T.K., i dyshuar për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 3 gusht 2025, në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake ndërmjet të pandehurit dhe viktimës E.B.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se fillimisht e ka goditur viktimën me një mjet të fortë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa më pas e ka lidhur me litar rreth qafës, duke i shkaktuar asfiksi mekanike, si pasojë e së cilës viktima ka humbur jetën.
Prokuroria bën të ditur se pas kryerjes së veprës, T.K. dyshohet se trupin e viktimës e ka tërhequr zvarrë dhe e ka fshehur në një gropë, të cilën më pas e ka mbuluar me dhe. Po ashtu, dyshohet se i ka fshehur edhe mjetet e përdorura gjatë kryerjes së veprës penale.
Ndërkaq, gjatë kontrollit të realizuar në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Baicë, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar disa armë të kalibrave të ndryshëm, përfshirë armë automatike, pushkë dhe municion, të cilat dyshohet se mbaheshin pa autorizim.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
I pandehuri ngarkohet për veprat penale të “Vrasjes së rëndë” dhe “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pasuria e pajustifikueshme në verifikim, hyn në fuqi ligji për Byronë
Milan Radoiçiq është larguar drejt Rusisë
20 lokacione të hulumtuara në Kosovë, mbi 1 mijë e 500 të zhdukur nga lufta
Policia sekuestron dokumente të dyshuara të strukturave paralele serbe në Bërnjak
Gjenden mbetje mortore në fshatin Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së
Radulloviqi përballet me akuzat për terrorizëm në Banjskë, ndërpritet seanca
Aktakuzë për vrasje të rëndë në Lipjan, i dyshuari akuzohet se e goditi viktimën dhe ia fshehu trupin në një gropë