Prishtinë, 22 qershor 2026 08:33
Edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, qindra familje vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen dhe pasigurinë për fatin e më të dashurve të tyre. Kjo temë është trajtuar në dokumentarin më të ri kushtuar personave të zhdukur në rajonin e Gjilanit, ku përmes rrëfimeve të familjarëve dhe dëshmitarëve rikthehen në kujtesë ngjarjet tragjike të luftës.
Dokumentari sjell histori të familjeve që ende nuk kanë arritur të gjejnë apo identifikojnë mbetjet mortore të të afërmve të tyre, duke dëshmuar për vuajtjet e vazhdueshme që shkakton mungesa e përgjigjeve për fatin e personave të zhdukur.
Përmes dëshmive të paraqitura, familjarët flasin për pritjen e gjatë, shpresën që nuk është shuar dhe kërkesën e vazhdueshme për zbardhjen e së vërtetës. Ata theksojnë se, pavarësisht kalimit të viteve, plagët mbeten të hapura derisa të mësohet fati i secilit person të zhdukur.
Dokumentari hedh dritë edhe mbi përpjekjet institucionale për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur, ndërsa nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare në procesin e kërkimit.
Xhemile Morina, gruaja e Halit Morinës nga Kamenica, ka treguar për “Kallxo” se çka i thanë dëshmitarët për zhdukjen e burrit të saj nga data 26 mars 1999.
Morina thotë se burri i saj nuk u ndalë së punuari edhe në kohë lufte, në Dardani të Prishtinës ku kishte depot e tij me teknikë të bardhë dhe ku e morën një grup personash- “Dora e Zezë” – të cilët i përshkruan me fjalët: “ata kanë folur gjuhën serbe, kanë qenë të maskuar, me shamia të lidhura, të lyer me ngjyrë, me doreza, me pulla apo ku ta di unë… sipas dëshmitarëve, ata kanë qenë në depo, ata janë ardhur me një xhip të zi edhe janë hyrë brenda katër-pesë veta, e kanë marrë Halitin aty, e kanë hipur në atë xhipin edhe e kanë çuar në drejtim të panjohur, nuk e di, kah e kanë çuar nëpër Prishtinë.” – shtoi ajo.
Çështja e personave të zhdukur vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme të pasluftës në Kosovë. Familjet e viktimave kërkojnë që kërkimet të mos ndalen dhe që e vërteta për më të dashurit e tyre të zbardhet plotësisht.
Dokumentari për rajonin e Gjilanit vjen si një kujtesë se pas çdo statistike fshihet një histori njerëzore, një familje në pritje dhe një kërkesë e pandërprerë për drejtësi dhe dinjitet.

Specialja nuk përjashton mundësinë e një shtyrjeje tjetër të vendimit
Kërkohet të rikthehet vendimi që kufizon orarin e punës
Studentët serbë vizituan Kosovën: Na kanë gënjyer, bashkëkombësit tanë s’janë të shtypur
Prokuroria Speciale paralajmëron ngritjen e aktakuzës për sulmin ndaj familjes Jashari
Trangulli i Kosovës po fiton tregun evropian
Blakaj: Dhomat e Specializuara nuk bënë mjaftueshëm për të rritur ndërgjegjësimin publik për proceset në vazhdim
Rrëfimet familjarëve për të zhdukurit në rajonin e Gjilanit