Prishtinë, 20 qershor 2026 07:14
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.
Sipas njoftimit, procesi do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve. Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.
Maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e testimit më së voni në orën 09:00, në mënyrë që të përfundojnë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit.
Testi do të zhvillohet brenda një dite dhe do të përfshijë të gjitha lëndët për të gjithë kandidatët. Ai përmban 100 pyetje, përkatësisht nga 25 për secilën prej katër lëndëve: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë kandidati.
Ministria rikujton se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo kandidat që konstatohet se posedon telefon ose pajisje elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo.
Sipas ministrisë Qendra për Vlerësim ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e testit, ndërsa administruesit dhe anëtarët e komisioneve janë trajnuar dhe pajisur me udhëzimet përkatëse.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka uruar suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës