Prishtinë, 15 qershor 2026 20:40
Interesimi për karrierë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës po vazhdon të rritet. Në konkursin e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, 234 të rinj kanë aplikuar për vetëm 44 vende kadetësh, duke e bërë garën një nga më konkurrueset e viteve të fundit dhe duke reflektuar rritjen e besimit ndaj institucioneve të sigurisë së vendit.
234 të rinj kanë aplikuar për vetëm 44 vende të hapura për kadetë në Forcën e Sigurisë së Kosovës nga 1 qershori deri më sot, kur ka përfunduar edhe afati për aplikim. Konkursi i hapur nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja përfshin pranimin e kadetëve për studime në Qendrën e Studimeve Universitare, si dhe në akademitë ushtarake të Turqisë, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me mbi pesë kandidatë që konkurrojnë për një vend, interesimi konsiderohet ndër më të lartit në vitet e fundit.
Në Ministrinë e Mbrojtjes kanë thënë se ky interesim i madh dëshmon besimin e të rinjve në institucionet e sigurisë dhe atraktivitetin në rritje të profesionit ushtarak. Për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, ky është tregues i qartë i përkushtimit të gjeneratave të reja për t’i shërbyer vendit dhe për të kontribuar në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, njohës të çështjeve të sigurisë e vlerësojnë interesimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës si një zhvillim pozitiv për sigurinë dhe të ardhmen e vendit. Profesori i sigurisë, Fatmir Çollaku, tha se rritja e interesimit për t’iu bashkuar FSK-së tregon ngritje të vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e këtij institucioni.
“Kjo është një tregues i ngritjes së vetëdijes së qytetarëve të Kosovës për të aderuar, gjegjësisht për të aplikuar në radhët e ushtarëve të FSK-së, si një subjekt i rëndësishëm, premtues dhe garantues për sigurinë e Kosovës, si dhe një institucion ku puna, përkushtimi dhe disiplina janë vlerat kryesore”, tha Fatmir Çollaku, profesor i sigurisë.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, tha se interesimi i të rinjve për t’u bërë kadetë të FSK-së është një përfitim i madh si për shtetin, ashtu edhe për oficerët e ardhshëm.
“Është një plus shumë i madh. Të rinjtë tanë duhet të interesohen që të bëhen kadetë të FSK-së, sepse benefitet janë të mëdha si për Republikën e Kosovës, ashtu edhe për oficerët e ardhshëm. Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në shkollim në Kroaci, Shqipëri, Maqedoni ose Mbretërinë e Bashkuar, pasi janë plotësuar kushtet dhe janë shkolluar shumë oficerë”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.
Rritja e numrit të ushtarëve të rinj në Forcën e Kosovës jo vetëm që forcon kapacitetet mbrojtëse të vendit, por edhe krijon mundësi profesionale dhe akademike për të rinjtë, duke kontribuar në zhvillimin e një force më të përgatitur dhe më profesionale për të ardhmen e Kosovës.

Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Maqedonci: Gjatë pesë viteve u rekrutuan 3,220 ushtarë të rinj në FSK
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit