Prishtinë, 15 qershor 2026 08:42
Aplikacioni i enkriptuar Sky ECC, i cili për vite me radhë konsiderohej si një mjet i sigurt komunikimi për grupet kriminale, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një burim të rëndësishëm për hetuesit në luftën kundër krimit të organizuar.
Dekodimi i mesazheve të shkëmbyera përmes kësaj platforme ka ndihmuar autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në zbardhjen e aktiviteteve kriminale. Një rast i tillë është edhe operacioni i zhvilluar më 9 qershor në Kosovë, ku pesë persona u arrestuan nën dyshimin për përfshirje në një rrjet të trafikimit të drogës, pas hetimeve të përbashkëta të institucioneve kosovare dhe Europolit.
Eksperti i sigurisë dhe ish-drejtori i Departamentit të Hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, Valdet Hoxha, vlerëson se zhvillimet teknologjike kanë ndryshuar mënyrën e funksionimit të krimit të organizuar. Sipas tij, grupet kriminale tashmë operojnë në struktura të fragmentuara dhe në formë celulash të ndara, duke e bërë më të vështirë identifikimin dhe depërtimin e autoriteteve në këto rrjete.
Megjithatë, Hoxha thekson se përdorimi i platformave të enkriptuara si Sky ECC u ka krijuar kriminelëve një ndjenjë të rreme sigurie. Pikërisht kjo bindje ka bërë që shumë prej tyre të shkëmbejnë informacione të detajuara për aktivitetet e tyre, duke lënë pas gjurmë që më vonë janë shfrytëzuar nga hetuesit për të goditur rrjete kriminale në disa shtete.
Ai nënvizon se komunikimet e dekriptuara nuk mund të shërbejnë si prova të vetme në procese gjyqësore. Sipas tij, ato përbëjnë indicie të rëndësishme për orientimin e hetimeve, por duhet të mbështeten edhe me prova materiale dhe rrethanore për të ndërtuar raste të qëndrueshme para drejtësisë.
Rasti i Sky ECC po konsiderohet si një nga shembujt më të qartë të mënyrës se si teknologjia, e përdorur fillimisht për të fshehur aktivitetet kriminale, po kthehet në një armë të fuqishme në duart e institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar.

Policia e Kosovës jep alarm për mesazhet mashtruese: Mos klikoni dhe mos jepni të dhëna personale
BIA synon destablizimin e Kosovës: Vrajolli: Synohen zgjedhjet dhe organet e sigurisë
Policia reagon ndaj raportimeve se “Kosova blindohet”: Janë procedura të rregullta policore
Mbi 1 miliard euro për mbrojtjen, Kosova synon forcimin e ushtrisë
Policia me plan operativ në Mitrovicën Veriore, s’lejohen të kalojnë veturat me simbole kombëtare
FSK zhvillon aktivitete trajnuese dhe përgatitore për rritjen e gatishmërisë së pjesëtarëve
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e papranueshme
Video-lajm: Protuestuesit revoltohen para ndërtesës së EULEX-it
Rama reagon pas vendimit në Hagë: `MARRE`