Prishtinë, 11 qershor 2026 10:50
Vdekjet aksidentale në vendin e punës vazhdojnë të mbeten një ndër shqetësimet më të mëdha për sigurinë e punëtorëve në Kosovë. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, rastet tragjike po vazhdojnë të përsëriten, sidomos në sektorët e ndërtimtarisë dhe industrisë.
Vdekjet në vendin e punës kanë ngritur alarmin për kushtet e sigurisë në vendet e punës.
Çdo rast i regjistruar ka lënë pas familje të goditura nga humbja dhe ka nxitur reagime për nevojën e kontrolleve më të rrepta ndaj punëdhënësve dhe zbatimit të standardeve të sigurisë. Nga rëniet nga lartësia në objektet në ndërtim e deri te aksidentet me makineri dhe pajisje pune, ngjarjet fatale të muajve të fundit kanë dëshmuar se mbrojtja e jetës së punëtorëve mbetet një sfidë serioze.
Vetëm gjatë vitit të kaluar janë shënuar 31 raste të vdekjes së punëtorëve në vendin e tyre të punsës, kurse prej janarit të këtij viti e deri sot janë 12 raste kur punëtorët kanë vdekur në vendin e punës.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, thotë se rastet e shumta të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës janë pasojë e një vargu faktorësh që lidhen me mosrespektimin e standardeve të sigurisë dhe mbikëqyrjen e pamjaftueshme institucionale.
“Shumë punëdhënës nuk krijojnë kushte të favorshme pune dhe nuk ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së punëtorëve. Në shumë vendpunishte mungojnë mbikëqyrësit profesionalë që njohin rreziqet e punës dhe që do të mund të parandalonin aksidentet para se ato të ndodhin”, shprehet Azemi për VeritasInfo.
Ai thekson se problemit i kontribuon edhe numri i vogël i inspektorëve të punës në terren, si dhe mungesa e profesionalizmit në disa raste gjatë kryerjes së inspektimeve.
Sipas tij, dënimet janë të ulëta për shkelësit e ligjit dhe për ata që, siç shprehet ai, devijojnë raportet zyrtare pas fatkeqësive me pasoja fatale apo gjatë inspektimeve të objekteve dhe vendpunishteve.
Kryesindikalisti thotë se Kosova ka legjislacion të mirë në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, por problemi kryesor mbetet moszbatimi i ligjeve në praktikë, gjë që po vazhdon të rrezikojë jetën e punëtorëve.
Në anën tjerër Inspektorati Qendror i Punes në Republikën e Kosovës kohë më parë ka mbyllur disa vendpunishte të ndërtimit, për shkak të mospërmbushjes së kushteve të sigurisë siç parashihet edhe me aspektin ligjor.
Pas rasteve të vdekjes së punëtorëve në vendet e tyre të punës, ky inspektorat ka shtuar aktivitetin e inspektimit të punishtëve, ndërkohë u ka bërë thirrje subjekteve ndërtimore të ndërmarrin të gjitha masat e duhura, me.qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së sigurisë dhe shëndetit sëtë punërorëve në vendin e punës.
“Duke marrë parasysh se jemi në fazën ku intensiteti i punës po shënon rritje në të gjitha profilet e subjekteve, kërkohet nga të gjithë punëdhënësit që të zbatojnë me përpikëri dispozitat ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe të ndërmarrin të gjitha masat parandaluese për evitimin e rreziqeve dhe aksidenteve në vendin e punës”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.

Nisin punimet për stabilizimin e rrëshqitjes në rrugën Klinë–Gurrakoc, investohen mbi 373 mijë euro
Kosova synon përafrimin me standardet evropiane përmes reformave në akreditim
Himni i Kosovës sot mbush 18 vjet
Në Prishtinë u hap Muzeu “Eksodi ‘99”
Prishtina sot shënon 27 vjetorin e çlirimit
Kosova tërheq gjithnjë e më shumë turistë