Prishtinë, 10 qershor 2026 19:31
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar për 20 korrik 2026 seancën fillestare në procedurën që zhvillohet në mungesë ndaj 19 ish-pjesëtarëve të ushtrisë, policisë dhe shërbimeve të sigurisë së Serbisë, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në Masakrën e Reçakut në janar të vitit 1999.
Procedura zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës në fund të dhjetorit 2025. Gjykata i ka ftuar të akuzuarit që të paraqiten para organeve kompetente dhe të marrin pjesë në seancë. Njëkohësisht, është bërë thirrje që kushdo që posedon informacione për vendndodhjen e tyre t’ia përcjellë ato policisë.
Mes të akuzuarve ish-gjeneralë, komandantë dhe funksionarë policorë
Në aktakuzë përfshihen ish-zyrtarë të lartë ushtarakë, policorë dhe të sigurisë së Serbisë, ndër ta:
Obrad Stevanoviq, ish-shef i Policisë së Serbisë dhe ndihmësministër i Punëve të Brendshme;
Radomir Markoviq, ish-ndihmësministër i Punëve të Brendshme dhe funksionar i Sigurimit Shtetëror;
Krsman Jeliq, komandant i Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Korpusit të Prishtinës;
Goran Radosavljeviq “Guri”, i përmendur si ndihmës i komandantit të Shtabit të Përgjithshëm për operacione speciale në Kosovë;
si dhe ish-komandantë të njësive speciale, stacioneve policore dhe inspektorë hetues.
Për çfarë akuzohen?
Sipas aktakuzës, gjatë konfliktit në Kosovë në vitet 1998–1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, njësive speciale dhe strukturave të sigurisë shtetërore, kanë vepruar në një operacion të përbashkët në fshatin Reçak të Shtimes.
Prokuroria pretendon se gjatë operacionit të zhvilluar më 15 janar 1999 janë kryer:
vrasje të civilëve,
trajtime çnjerëzore,
shkatërrim i pronës,
dhe dëbim masiv i popullsisë.
Sipas aktakuzës, gjatë aksionit janë vrarë 42 civilë shqiptarë të cilët nuk kishin marrë pjesë në luftime.
Dokumenti përshkruan raste individuale të vrasjeve në disa lokacione të fshatit, si dhe plagosjen e një numri të madh banorësh. Prokuroria aegumenton se forcat ushtarake dhe policore fillimisht e kishin rrethuar fshatin, e kishin granatuar nga disa pozicione dhe më pas kishin hyrë në Reçak duke kontrolluar shtëpi më shtëpi.
Pretendime për torturim dhe keqtrajtim të civilëve
Një pjesë e aktakuzës lidhet me pretendimet për torturim dhe trajtim çnjerëzor të civilëve. Sipas prokurorisë, dhjetëra banorë, përfshirë burra, gra dhe fëmijë, janë nxjerrë me forcë nga strehimet, janë ndarë dhe burrat janë keqtrajtuar fizikisht me goditje, zinxhirë dhe mjete të tjera. Disa prej tyre, sipas pretendimeve, janë dërguar në zonën e njohur si “Kodra e Bebushit”, ku më vonë disa janë vrarë.
Dëbimi i popullsisë
Përveç vrasjeve dhe trajtimeve çnjerëzore, aktakuza përfshin edhe pretendime për shkatërrim sistematik të pronës dhe dëbim të detyruar të popullsisë. Prokuroria pretendon se pas operacionit janë dëbuar nga shtëpitë e tyre rreth 20 mijë banorë të Reçakut dhe fshatrave përreth.
Dëshmitë e prokurorisë
Prokuroria ka paralajmëruar se do të paraqesë si prova:
deklarata të dëshmitarëve të mbijetuar,
raporte policore,
dokumentacion forenzik,
materiale të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë,
raporte të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë,
dokumente të OKB-së dhe organizatave për të drejtat e njeriut,
si dhe dëshmi nga gjykimi i ish-presidentit jugosllav, Slobodan Millosheviq.
Seanca fillestare është caktuar për 20 korrik 2026 në orën 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Haxhiu: Lidhja e Prizrenit simbol i bashkimit dhe qëndresës kombëtare
Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj gjashtë serbëve, në vitin 2022, bllokuan rrugët kryesore
Në Gjilan lansohet dokumentari për personat e zhdukur gjatë luftës
Mbytjet në det, tragjedia që përsëritet çdo verë
27 vjet nga marrëveshja e Kumanovës, që solli lirinë dhe fundin e Serbisë në Kosovë
Kushtetuesja konfirmon vendimin e qeverisë për tokën në Graçanicë për ndërtimin e qendrës sociale
Gjykata në Prishtinë cakton fillimin e gjykimit në mungesë për Masakrën e Reçakut: Të akuzuar 19 ish-zyrtarë ushtarakë dhe policorë serbë
Dosja e Prokurorisë: Zbulohen detajet se si operonte grupi i shpartalluar kriminal
Haxhiu: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat
Suhareka do të bëhet me Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare të re, investim prej 4 milionë euro