Prishtinë 10 Qershor 2026 8:15
Para publikut në Gjilan është shfaqur dokumentari “Shpalosja e së Vërtetës”, i realizuar nga BIRN Kosova, i cili trajton historitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe përpjekjet shumëvjeçare të familjarëve për të gjetur të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.
Dokumentari është realizuar pas më shumë se 200 orësh intervista me familjarë të viktimave të zhdukura, dëshmitarë dhe persona të përfshirë në procesin e kërkimit të të pagjeturve.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998, në kuadër të një fushate të gjerë arrestimesh, civilë të pafajshëm u ndaluan dhe u dërguan në burgje të ndryshme në Serbi.
Rreth 2,000 persona u mbajtën të privuar nga liria, ndërsa një pjesë e tyre qëndruan në paraburgim dhe burgje deri në fund të vitit 2002.
Dokumentari trajton gjithashtu edhe krimet e kryera gjatë luftës, ku të vrarë në masakra kolektive u transportuan në Serbi me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit.
Sipas të dhënave të paraqitura në dokumentar, rreth 50 persona nga Gjilani, Kamenica, Ranillugu, Parteshi dhe Vitia vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Pas secilit rast qëndrojnë familje që ende jetojnë me mungesën, pritjen dhe dhimbjen që nuk është shuar as pas më shumë se dy dekadash.
Edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës, familjarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe informacion për më të dashurit e tyre, ndërsa çështja e personave të zhdukur mbetet një nga plagët më të pambyllura të shoqërisë kosovare.
Pas shfaqjes së dokumentarit u mbajt një debat publik, ku u diskutuan sfidat institucionale në procesin e gjetjes së personave të zhdukur, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe roli i familjarëve dhe shoqërisë civile në kërkimin e së vërtetës.
Në panel morën pjesë Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com.
Ilir Morina u bëri thirrje qytetarëve që, në rast se hasin mbetje mortore apo eshtra, të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës.
Kushtrim Gara tha se një nga sfidat kryesore mbetet sigurimi i informacioneve të besueshme, duke theksuar se çdo informacion që pranohet trajtohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse.
Ndërkaq, Ditor Haliti foli për punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke bërë të ditur se rastet e personave të pagjetur trajtohen me prioritet të veçantë.
Kreshnik Gashi tha se qëllimi i dokumentarit është t’u tregojë qytetarëve se pas shifrës së mbi 1,500 personave të zhdukur qëndrojnë po aq familje që vazhdojnë të jetojnë me pritjen dhe dhimbjen për të mësuar vendndodhjen e më të dashurve të tyre.
“Kemi dashur t’u tregojmë njerëzve se kur dëgjojnë për personat e zhdukur, të kuptojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për 1,500 persona, por për 1,500 familje që nuk mund t’i përjetojnë plotësisht gëzimet e jetës për shkak të pritjes së vazhdueshme për të ditur fatin e viktimave të zhdukura”, – tha ai.
Shfaqja në Gjilan është pjesë e një serie prej tetë dokumentarësh që BIRN Kosova ka nisur t’i promovojë në tetë rajone të Kosovës, me synimin për të dokumentuar historitë e personave të zhdukur dhe për të krijuar hapësirë për debat publik e institucional mbi këtë çështje që vazhdon të mbetet e hapur edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës.

Policia mohon arrestimin e shtetasit turk: U paraqit si ankues, pas intervistimit u lirua
Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim
Edhe 30 ditë paraburgim pjesëtarit serb të MUP-it, V.M. dyshohet se kidnapoi Milan Vukashinoviqin në Leposaviq
Arrestohet një shtetas turk, i dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Krushës
Haxhiu: Nuk lejojmë gjyqtarë dhe prokurorë nën urdhrat e Serbisë
Haxhiu: Ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë serbë kanë marrë pagesa nga Serbia edhe gjatë kohës në institucionet e Kosovës
Të shtëna me armë zjarri në Lipjan, plagoset një person pas një mosmarrëveshjeje
Shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale